Osmani bën homazhe në Prekaz: Do ta kemi udhërrëfyes trimërinë dhe sakrificën e familjes Jashari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt.

Pas homazheve, Osmani ka deklaruar para mediave se sot e përkujton sakrificën sublime të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari.

Ajo ka thënë se është treguar “një trimëri e jashtëzakonshme në një situatë të jashtëzakonshme”.

“Ata u sulmuan në shtëpinë e tyre, ku shumica dërrmuese e familjarëve që u vranë ishin gra dhe fëmijë, kjo e tregon se ishte ndër masakrat më të tmerrshme të kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë për të cilën akoma nuk ka drejtësi… Por, përveç thirrjes sonë për drejtësi, ne gjithnjë do ta kemi udhërrëfyes të përhershëm trimërinë dhe sakrificën e familjes Jashari”, ka deklaruar Osmani.