Kryeparlamentarja

Osmani: Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i Kosovës

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim në ceremoninë e parakalimit të trupave të FSK-së, në kazermën “Adem Jashari”.

Duke folur para të gjithë ushtarëve të FSK-së, të pranishmëve si presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, komandanti i FSK, Gjeneral Rrahman Rama, ambasadorët, oficerët e nënoficerët, ajo theksoi se anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i Republikës së Kosovës.

“22 vjet më parë në Prekaz familja Jashari po luftonte për të mbrojtur pragun e shtëpisë, familjen, Prekazin dhe gjithë Kosovën, kundër një regjimi shfarosës, duke dhënë shembullin e rrallë në historinë e një familjeje, e cila bëri sakrificën sublime të vetëflijimit për atdhe, që ne ta gëzojmë sot lirinë dhe pavarësinë. Andaj, sot, në shënim dhe nderim të Epopesë së UÇK-së, nga kazerma që e mban emrin e komandantit Adem Jashari, ta kujtojmë me dhembje, por edhe me krenari Adem Jasharin, Hamëz e Shaban Jasharin, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës, invalidët e luftës, që dhanë gjymtyrët e trupit për më të shtrenjtën liri”, tha Osmani.

Ajo tha se çdo i ri ose e re që ka ëndërr jetësore uniformën ushtarake dhe shërbimin ndaj atdheut, në Ushtrinë e Kosovës, nuk mund të gjejë pikë më të fortë referuese e frymëzuese për sakrificë ndaj atdheut, sesa personalitetin e Adem Jasharit dhe të familjes së tij.

“Me heroizmin e tij, që kulmoi me datën 5, 6 dhe 7 mars të vitin 1998, ai krijoi solidaritet të jashtëzakonshëm shoqëror, u shndërrua në frymëzim për të gjithë të rinjtë e Kosovës, duke e ngjallur frymën e kryengritjes. Ai u shndërrua në shembull të sakrificës, të cilin e ndoqën shumë të rinj e të reja , të cilët u flijuan për Kosovën”, tha ajo.

Duke iu drejtuar ushtarëve, ajo tha se “ne si vend e si komb asnjëherë nuk kemi pasur synime ndaj të tjerëve, qëllimi dhe misioni i vetëm i yni ka qenë dhe mbetet mbrojtja e atdheut tonë”.

“Ushtaraku i hershëm i këtij vendi, komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, na e dha këtë shembull. Sot secili kadet, ushtar e oficer duhet ta ketë parasysh sa herë që mendon për qëllimin fisnik të ushtarakut, sovranitetin e vendit, të cilin, njësoj si komandant Jashari, duhet të jetë i gatshëm ta mbrojë e ta sigurojë. Adem Jashari, të cilin ne e kujtojmë sot, e dha shembullin se si mbrohet toka e këtij vendi, se si çdo cep i kësaj toke është i shenjtë dhe se si luftohet për të. Adem Jashari e mbrojti pragun e shtëpisë së tij, e të shtëpisë së përbashkët, Kosovës. Kësisoj, ai u shndërrua në simbol të rezistencës e në simbol të ushtarakut të përkushtuar, i cili nuk rresht së punuari për ta mbrojtur atdheun. Ai e zgjodhi sakrificën sublime, siç do ta zgjedhtë secili ushtarak i ndershëm kur cenohet integriteti i vendit dhe kështu dëshmoi se liria është tepër e çmueshme dhe se sakrifica, përfshirë edhe atë më sublimen, është e pamatshme krahasuar me të”, tha Osmani.

Forcat tona, tha Osmani, “do të zhvillohen edhe më tej si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s”.

“Ato që tani janë të gatshme të kontribuojnë në operacione të paqes jashtë territorit të vendit, në partneritet dhe koordinim të plotë me NATO-n. Por, ne duam që ky partneritet strategjik të thellohet edhe më tej. Prandaj, anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i Republikës sonë për të cilin do të angazhohemi me gjithë potencialin tonë”, tha Osmani.