ORCA: 45 përqind e profesorëve në UP kanë koeficientin zero

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka prezantuar sot raportin final për këtë vit, lidhur me integritetin akademik të Universitetit të Prishtinës. Aty u tha se 45 përqind e profesorëve në UP kanë koeficientin zero, duke mos pasur asnjë punim shkencor të publikuar në revista shkencore.

E fakulteti me më së paku punime për profesor doli të jetë Fakulteti i Filologjisë me 0.92 punime për profesor.

Autorja e këtij raporti, Adea Kondirolli, e cila bëri një prezantim të shkurtër të të gjeturave, tha se Fakulteti i FSHMN-së prinë për nga numri i punimeve shkencore.

Sa i përket titujve të profesorëve, Kondirolli tha se ka edhe ligjërues të cilët nuk kanë fare tituj.

Ajo foli edhe për justifikimin e titujve, me ç’rast tha se Fakulteti i Edukimit Fizik ka justifikimin më të ulët në të gjithë Universitetin.

Rron Gjinovci nga kjo organizatë tha se janë të përkushtuar që përmes hulumtimit e kritikës publike synojnë mirëqenien për gjithë shoqërinë.


I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe doktor Taulant Muka, drejtues i një grupi kërkimor në Universitetin e Bernës në Zvicër, i cili ka prezantuar të gjeturat e tij nga një hulumtim që kishte bërë për cilësinë e arsimit në Shqipëri.


Ai tha se është pak e vështirë të nxjerrësh statistika në Kosovë, derisa shtoi se Shqipëria mban numrin më të ulët të publikimeve në krahasim me vendet e tjera në rajon.


Nga raporti i publikuar sot nga ORCA del se në UP këtë vit janë identifikuar 1735 punime shkencore, derisa në vitin 2017 kanë qenë 1320 punime. Ndërsa mesatarja e punimeve të publikuara në revista me koeficient është 3.7 punime për profesor në nivel universiteti. Tutje, sipas raportit në fjalë, fakulteti me më së paku punime për profesor është Fakulteti i Filologjisë me 0.92 punime për profesor.

Krejt në fund, përfaqësues të ORCA-s bënë të ditur se nga marsi i vitit tjetër do të angazhohen edhe në hulumtimin e universiteteve tjera publike në Universitetin e Kosovës.