ORCA

ORCA: 33% e profesorëve të UP-së kanë botuar nëpër revista

33 për qind e profesorëve të Universitetit të Prishtinës së paku një herë kanë publikuar punime në revista të dyshimta.

Ky vlerësim doli nga publikimi i analizës së Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA.

Hulumtuesja Adea Kondirolli, tha se pas presionit të ORCA-s vitin e kaluar, MASHT ka hartuar Udhëzimin Administrativ për Parimet e Njohjes së Platformave dhe Revistave Ndërkombëtare. Kondirolli tha se pavarësisht kësaj, profesorët kanë gjetur hapësirë për mashtrim akademik.

Prorektori për Shkencë, Faton Berisha tha se sipas kësaj analize, pavarësisht publikimeve në revistat e dyshimta, UP ka bërë përparim dhe njëherësh, ORCA ka avancuar si organizatë e shoqërisë civile dhe shtoi se kjo gjë u bën nder të dy palëve.

Ndërkaq, ai përmendi edhe plagjiaturën, për të cilën tha se është problem i të gjitha universiteteve e për këtë sugjeroi që të ketë mbikëqyrës akademik.

Sipas kësaj analize, në UP, fakulteti me më së shumti punime për profesor, është FSHMN, kurse Fakulteti i Filologjisë ka dalë si fakulteti me së paku punime për profesor.

Raporti po ashtu ka nxjerrë përfundime se fakultetet e shkencave ekzakte kanë më shumë punime të publikuara në krahasim me fakultetet e shkencave sociale dhe humanistike.