Opozitari serb: “Prezenca e Radoiçiç në Kuvendin e Serbisë, mesazh se Vuçiç është me të në gjithçka”

Prezenca e [Milan] Radojçiç [në Kuvendin e Serbisë ku po diskutohej dialogu Kosovë-Serbi] ishte gjëja më e pakëndshme, tha Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Të mos e fundosim Beogradin”,  Radomir Lazoviç, raporton gazeta online Reporteri.net.

Prezencën e kriminelit famëkeq të kërkuar edhe nga drejtësi kosovare, Milan Radojçiç, në parlamentin serb, Llazoviç e vlerësoi si “mesazh që [Aleksandër] Vuçiç qëndron me Radojçiçin në çdo gjë”.

“Deri sa të kryhen hetimet, unë nuk e di deri në ç’masë është roli i tij në vrasjen e [ish-politikanit serb në Kosovë] Oliver Ivanoviçit, por unë qartësisht e them se Partia Përparimtare Serbe (SNS) janë frymëzuesit politik të këtij krimi”, i tha ai gazetës serbe “Nova”.

Politikani serb tha se për katër vite SNS “nuk mund të gjente se kush pagoi për fushatën e tmerrshme demonizuese ndaj Ivanoviç”.

“Po të donin ata të gjenin dorasin e ta vendosnin para drejtësisë, do të nisnin pikërisht nga kjo”, tha ai.

Në fund të marsit të këtij viti një person i quajtur Boban Bogdanoviç në një dëshmi për rrjetin investigativ KRIK dëshmoi se vrasja e Oliver Ivanoviç u porosit me pagesë nga krimineli famëkeq serb nga Kosova Zvonko Veselinoviç, me ndihmën e bashkëpunëtorit të tij të parë dhe kryesor, Millan Radoiçiç, që të dy këta të afërt me SNS-në e Aleksandër Vuçiç.

Ekzekutimi, sipas këtij dëshmitari, qe bërë nga krimineli serb nga Novi Sadi, Ljubomir Lainoviç, i cili për këtë akt tha se ka marrë 50 mijë euro para.

“Do të ishte shumë e rrezikshme që organet kompetente të mos reagonin ndaj këtyre akuzave. Më duhet ta pranoj që nuk e njoh zotërinë, intervistën e kam parë dy herë, por disa nga përshtypjet e mia janë se ajo që thotë është bindëse. Se është e vërtetë apo jo, do të duhet të përcaktohet nga autoritetet”, deklaronte kusheriri i Oliver Ivanoviç, avokati Aleksandër Ivanoviç, për portalin serb opozitar “Nova”.

Duke folur nëse pret që prokuroria t’i hetojë akuzat që janë bërë publike më herët gjatë ditës së sotme, Ivanoviç thekson se përvoja e tij nuk i jep shumë shpresë, sepse deri më tani nuk janë marrë me të.

Oliver Ivanoviç, lider i Iniciativës Qytetare SDP, u vra më 16 janar 2018 në Mitrovicë të Veriut dhe as katër vjet pas vrasjes nuk dihet se kush e urdhëroi krimin që tronditi opinionin publik./Reporteri.net/