Opozita serbe nuk ia pranon raportin Vuçiçit për dialogun Kosovë-Serbi, ky i fundit ua miraton dy kërkesa

Seanca e jashtëzakonshme në Parlamentin e Serbisë ku presidenti serb, Aleksandër Vuçiç raporton para deputetëve serbë për dialogun me Kosovën, ka vazhduar edhe të mërkurën.

Partitë opozitare serbe kanë deklaruar se nuk do ta votojnë raportin e paraqitur nga presidenti serb për dialogun mes Kosovë dhe Serbisë, raporton gazeta online Reporteri.net.

Aleksandër Vuçiç pranoi thirrjen e Partisë Popullore Serbe të udhëhequr nga Vuk Jeremiç, ku kërkohet që t’i shkruhet letër Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, dhe Presidentit të Kinës, Xi Jinping, dhe t’u kërkohet veto-ja ruse dhe kineze ndaj pranimit të Kosovës në OKB.

Vuçiç gjithashtu pranoi propozimin e partisë për Liri dhe Drejtësi të Dragan Gjilas, ku kërkohet formimi i një komisioni parlamentar për Kosovën, ku do të përfshihen përfaqësues të të gjitha partive parlamentare serbe, organizatave joqeveritare, përfaqësues të universiteteve serbe, Akademisë së Shkencave dhe Arteve (SANU), si dhe Kishën Ortodokse Serbe.

Ish-presidenti serb, Boris Tadiç, kritikoi opozitën se nuk arritën të shohin, siç tha ai, “nivelin e kontradiktave të Vuçiç”, si dhe debatin parlamentar e quajti “larg të qënit cilësor”.

Partia Popullore, Partia Liri dhe Drejtësi, Partia Demokratike, Nuk do ta Ngulfatim Beogradin, “Moramo-Zajedno”, koalicioni NADA dhe Zavetnici, kanë njoftuar se nuk do të votojnë për raportin për Kosovën që Vuçiç ua ka paraqitur.

Gjorgje Paviçeviç tha se deputetët e koalicionit të majtë të gjelbër nuk do ta votojnë raportin.

“Dje dëgjuam shumë fjalë të mëdha, shumë fjalë të urta dhe të zjarrta, dëgjuam britma, vlerësime, diagnoza, dëgjuam akuza, deri edhe skualifikime personale… Në këtë kuptim, këtu valëviteshin me fotografi e letra, të cilat ne nuk mund t’i shihnim, por ato tingëllojnë shumë bindëse kur shihen në ekran”, ka thënë ai.