Graçanicën e kanë vizituar sot kandidatët për deputetë të koalicionit “Serbia kundër dhunës” në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi.
Para komunës në këtë vend, ata i kanë ftuar votuesit të votojnë më 17 dhjetor dhe u kanë thënë se janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe marrëveshjes franko-gjermane, transmeton Ballkani.info.
Përfaqësuesit e kësaj liste janë të vetmit akterë politikë në zgjedhjet në Serbi që kanë vizituar komunitetin serb në Kosovën qendrore. Një grup prej rreth dhjetë kandidatësh për deputetë fillimisht morën pjesë në liturgjinë në manastirin e Graçanicës, e më pas iu drejtuan mediave para Komunës së Graçanicës.
Miroslav Aleksiq para komunës së Graçanicës ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se më 17 dhjetor edhe ata do të zgjedhin qeverinë që do të vendosë për të ardhmen e Serbisë. Ai akuzoi qeverinë aktuale se në dhjetë vitet e fundit ia ka dorëzuar “në pjatë” Kosovës policinë, gjyqësorin, sistemin energjetik dhe sistemin e telekomunikacionit dhe se e ka vënë popullin serb në një situatë të vështirë.
“Në Kosovë është i domosdoshëm normalizimi i jetës, në Kosovë duhet krijuar kushte për jetë të sigurt për të gjithë qytetarët, por çdo marrëveshje që nënkupton shkelje të Kushtetutës së Republikës së Serbisë, nënkupton çdo lloj njohjeje të Kosovës ose një karrige në Kombet e Bashkuara është e papranueshme për listën “Serbia kundër dhunës” dhe ne nuk do ta pranojmë këtë, por do të vazhdojmë të flasim, do të vazhdojmë të luftojmë dhe të krijojmë kushte për jetë normale në territorin e Kosovës përmes institucioneve në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare”, tha Aleksiç.
Aleksiç tha se ky koalicion kundërshton implementimin e planit franko-gjerman për Kosovën.
“Shteti i Serbisë nuk u angazhua, Aleksandar Vuçiq u angazhua, ai ashtu siç është. Prandaj, tashmë kam thënë se çdo marrëveshje, përfshirë edhe marrëveshjen franko-gjermane, e cila përfshin njohjen e Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara nuk është e pranueshme dhe nuk mund të jetë e pranueshme për Serbinë. Mund të diskutojmë ndonjë marrëveshje dhe zgjidhje tjetër”, tha ai.
Aleksiq tha gjithashtu se Asociacioni i komunave me shumicë serbe e ka humbur çdo kuptim.
“Asociacioni duhej të ishte formuar shumë më herët, kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit, kur kishte kuptim. Në këtë moment duket se Asociacioni thjesht po hedh pluhur në sy se ne si serb diçka kemi marrë, në thelb nuk do të marrim asgjë. Gjithçka duhet të rivendoset dhe të vendoset përsëri në tryezë”, tha Aleksiq.
Milivojeviq: Plani franko-gjerman nuk është diskutuar në Kuvend
Sërgjan Milivojeviq ka thënë se serbët në Kosovë jetojnë nën një terror të dyfishtë në Kosovë, njëri, siç tha ai, është terrori i Aleksandar Vuçiqit dhe tjetri i Albin Kurtit. Ai tha se Vuçiq bëri “më shumë për krijimin e Shqipërisë së Madhe se sa të gjithë komandantët e Ushtri Çlirimtare të Kosovës”.
“Ky është një njeri që kurrë nuk do ta pranojë se tashmë e ka njohur Kosovën. Ne si deputetë në Kuvendin e Serbisë, asnjëherë nuk e kemi marrë përmbajtjen e planit franko-gjerman për të cilin flitet dhe nuk e dimë se çfarë ka nënshkruar ai njeri dhe ku e ka marrë autoritetin kushtetues për të nënshkruar diçka. Ai është vetëm president i Republikës, funksioni i tij duhet të jetë protokolltar”, tha ai. /Ballkani.info/






