Opozita nuk heq dorë nga idea për rrëzimin e Qeverisë, thotë se zgjedhjet janë të pashmangshme

Partitë opozitare vazhdojnë të kërkojnë zgjedhje të parakohshme pasi që, sipas tyre, Qeveria aktuale nuk mund t’i sigurojë votat e nevojshme në Kuvend që të kalojë çështjet me rëndësi për vendin, e lërë më të marrë vendime të mëdha.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fatmire Kollçaku, tha se akuzat e kryeministrit dhe presidentit ndaj njëri-tjetrit janë paralajmërim për zgjedhje, derisa shtoi se zgjedhjet janë mundësia e vetme që vendi të zhbllokohet.

“Ne si opozitë e kemi vlerësuar qysh moti që ka nevojë për zgjedhje, sepse kjo Qeveri tashme nuk e ka shumicën. Ju po e shihni që edhe në Kuvend nuk po kanë mundësi asnjë iniciative mos të them që asnjë projektligj ta shtyjnë pa prezencën e opozitës”, tha ajo.

“Mirëpo tashmë kjo siç e cekët edhe ju, jo serioziteti i dy njerëzve siç janë kryeministri dhe presidenti me akuza dhe kundër akuza të cilat me të vërtetë nuk janë asgjë tjetër, por janë paralajmërim që mund të ketë vërtet zgjedhje”.

“Prandaj duke e parë këtë situatë, e vetmja zgjedhje e duhur janë zgjedhjet të parakohshme të cilat duhet ta prodhonin një Qeveri legjitime një Qeveri që do ta ketë shumicën, që do ta ketë një shumicë edhe në Kuvend për t’i shtyrë proceset përpara”, tha Kollçaku, për Ekonomia Online.

Edhe Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri, thotë se situata në vend është e ndërlikuar prandaj sipas saj, shkuarja në zgjedhje është e domosdoshme.

“Jo vetëm që LDK është e gatshme dhe këtë po  e thonë edhe sondazhet, por nuk duhet të diskutohet se cili subjekt është i gatshëm dhe cili nuk është. Nuk ka rëndësi cilido subjekt që do të legjitimohet nga qytetarët e vendit duhet të marr përgjegjësit dhe nuk duhet të ndodhë çfarë po ndodhë”.

“Prandaj LDK-së i përforcohet për çdo dite mendimi dhe qëndrimi i saj që ky vend duhet të shkoj urgjentisht në zgjedhje sepse zgjidhja e këtyre problemeve behet vetëm përmes zgjedhjeve duke u ofruar tek sovrani dhe ai të jap besimin atij subjekti politik i cili mendon që do ta përfaqësoj siç duhet”.

Për kryetaren Alternativës, Mimoza Kusari, vendi është në bllokim të tërësishëm, derisa sa ka theksuar se partie që drejton është e gatshme të hyj në zgjedhje, raporton EO.

“Ajo çka po shohim është një rrezikim i vazhdueshëm i pushteteve të njeri-tjetrit. Nëse kemi bllokim të tërësishëm të Kuvendit  në vazhdimësi, mos-performancë dhe neglizhencë dhe gjithashtu praktika të korruptuara të qeverisë në vazhdimësi atëherë ndryshimi është i domosdoshëm”.

“Natyrisht që i marrim përgjegjësit dhe obligimet shtetërore. Ne në vazhdimësi kemi bërë thirrje që për proces të dialogut të ketë konsensus, të gjitha palët të ulën dhe të vijnë më një platformë të përbashkët dhe natyrisht pasi që të gjenden zgjidhjet për këtë temë kaq të madhe dhe me rëndësi për Kosovën, pastaj të përcaktohet bashkërisht dhe data e zgjedhjeve, sepse në këtë konglematurë politike dhe strukturën se si është krijuar sot në Kosovë nuk do të ketë mundësi që të ecim shumë përpara”, tha Gaxherri.