Takimi me emisarët

Opozita kërkon transparencë nga Kurti për takimin me emisarët, pozita sërish me kritika për Lajçakun

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, pozitë e opozitë kanë dhënë versionet e tyre për takimin e kryeministrit me “pesëshen” e emisarëve. Opozita kërkoi transparencë, e pozita e kritikoi sërish emisarin Lajçak.

Takimi që pati të shtunën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me emisarët e vendeve të BE-së dhe këshilltarët evropianë, vazhdon të jetë temë kryesore diskutimi.

Pyetjet e para për deputetët pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, ishin pikërisht për këtë temë. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi se Kurti duhet të tregojë çfarë u diskutua në atë takim.

Madje tha se një sqarim të tillë, kreu i Qeverisë, ia ka borxh qytetarëve, duke i kërkuar që të ketë bashkëpunim me aleatët e sidomos me ShBA-në.

“Kryeministri i’u ka borxh të gjithë qytetarëve që të mbajë një konferencë dhe të flas për qëndrimi e tij në lidhje me atë vizitë. Gjëja e parë që kryeministri duhet ta bëjë është ta dimë se ku qëndron vendi jonë nga këto kërkesa. I bëjmë thirrje kryeministrit që të ketë një bashkëpunim me aleatët e sidomos me ShBA-në. Ne po kërkojmë që të ketë një hetim ndërkombëtar”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, tha se integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian nuk mund ta ndalë askush.

Ai këto deklarata i bëri duke i’u përgjigjur deklaratave të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, se pa formimin e Asociacionit, nuk ka integrim.

“Rrugëtimin e integrimet evropian të Kosovë nuk mund ta ndal as Lajçaku e as një institucion. Kosova duhet që të bashkërendoj politikën e saj me BE-së e ShBA-së. Premtimet që i ka bërë duhet ti realizoj pa dëmtuar vendin”, tha ai.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së Mimoza Kusrai-Lila, tha se nuk ka informacione që pesë diplomatët që ishin në vizitë të shtunën të kenë dhënë afat për Kosovën për ndonjë marrëveshje, raportin Ekonomia Online.

Ajo tha se është e rëndë deklarata e të dërguarit special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, i cili potencoi se asgjë nuk ka ndryshuar në procesin e dialogut sa i përket sulmit pas 24 shtatorit.

Ndonëse sipas saj, në Kosovë pozita e opozita janë të pajtimit se situata në procesin e dialogut me Serbinë ka ndryshuar dhe ka marr rrugë tjetër pas sulmit të 24 shtatorit, shkruan Nacionale.

“Nuk kam informacion se ka ultimatum dhe që afati është të etjen. Sa i përket deklarimit të Lajçakut pak me e rënd është deklarata se asgjë nuk ka ndryshuar pas 24 shtatorit. Natyrisht se Kosova ka qenë e gatshme dhe ka treguar gatishmëri për dialog. Ne jemi të qëndrimi se 24 shtatori ka shënuar një kthesë të rëndësishme jo të mirë në procesin e dialogut”, tha ajo.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas takimit që pati me pesëshen diplomatike ne krye me emisarin special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak dhe atë të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se prioritet dhe çështje kryesore për Kosovës është siguria e shtetit, qytetarëve, kufijve dhe territorit.

Kurti tha se pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, “ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”.

“Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë