Opozita hungareze kërkon shfuqizimin e vendimit për azil dhe ekstradimin e Gruevskit
Liderët e tri partive opozitare në Parlamentin hungarez në një letër të përbashkët e vlerësojnë si “të turpshëm” vendimin e Qeverisë së Viktor Orban t’i ndajë azil ish kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevskit, transmeton Euraktiv.
“Është e papranueshme të kuptojmë nga mediat e huaja se Qeveria hungareze i ka dhënë azil kriminelit i cili kërkohet me urdhër-arrest ndërkombëtar”, theksojnë në letrën e përbashkët Bert Alan Tot, kryetar i Partisë Socialiste të Hungarisë, Sabo Timea, bashkëkryetar i Partisë Dialog për Hungarinë dhe Ferenc Gurçani, lider i Koalicionit Demokratik.
Të tri partitë opozitare i kanë bërë vërejtje Orbanit edhe për atë se ka angazhuar diplomatë hungarezë për ta ndihmuar Gruevskin që të arratiset nga Maqedonia përmes disa vendeve ballkanike dhe se të gjithë rastin autoritetet në Budapest e kanë mbështjellë me gënjeshtra dhe jotransparencë.
Opozita hungareze reagon edhe për shkak se autoritetet nuk kanë lejuar që për rastin e Gruevskit të debatohet në Parlament.
Letra e hapur e opozitës hungareze është dërguar deri te të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe deri te ambasadat e disa vendeve.
Tri partitë në fund të letrës së hapur bëjnë thirrje të tërhiqet azili i Gruevskit dhe ai urgjentisht ta lëshojë Hungarinë, gjegjësisht të ekstradohet.