Ngritja e çmimeve për disa produkte ushqimore bazike dhe derivateve të naftës, ka nxitur reagimin e qytetarëve por edhe të partive opozitare në Kosovë.
Edhe pse Qeveria e Kosovës sot ka njoftuar se do të lehtësojë punën e bujqve, duke subvencionuar çmimin e naftës për bujqit, ndryshe po mendon kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Përmes një postimi në Facebook, sot Haradinaj ka deklaruar se Qeveria i “ka prerë në besë fermerët”.
“Qeveria Kurti ka prerë në besë fermerët, të cilët në vend të rritjes së subvencioneve sipas premtimeve, në vitin e kaluar ata u përballët me papërgjegjësinë totale të qeveritarëve”, ka thënë ndër të tjerash Haradinaj.
Ai ka thënë se në vend të fjalëve të zbrazëta në konferenca shtypi, Qeveria duhet të ndërmerr veprime të shpejta e vendime të përgjegjshme, ku ka theksuar se duhet të kompensojë edhe dëmet e shkaktuara në sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2021.
Në anën tjetër, ish-ministrja e Financave nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar gjithashtu Qeverinë Kurti pas ngritjes së çmimeve të naftës dhe produkteve ushqimore.
“Qeveria fatkeqësisht e ka luajtur rolin e spektatorit. Ne e dimë që para disa ditëve i ka nda 10 milionë, por nuk mjaftojnë për të krijuar rezerva. Qeveria duket sikur po i gëzohet ngritjes së çmimeve, pasi do të ketë mundësi të rrisë buxhetin dhe të krekoset se sa i ka rritur të hyrat e buxhetit”, ka deklaruar Bajrami në T7.
Rritja e çmimeve të derivateve ka prekur edhe vendet e rajonit, ku sot në Shqipëri kanë protestuar qindra qytetarë të cilët kanë kërkuar reagimin e Qeverisë atje.
Edhe në Kosovë, Nol Nushi nga Partia Social-Demokrate ka deklaruar për lajmi.net se janë në terren duke diskutuar me qytetarët dhe se nuk do ta lejojnë Qeverinë që të mos marrë përgjegjësi.
“Rritja e çmimeve është shqetësuese, por edhe më shqetësuese është mos-reagimi i qeverisë. Sikurse me rrymën, reagimet e vonshme të qeverisë po i shkaktojnë dëme të rënda edhe ekonomisë, edhe qytetarëve. Sigurisht që ne kemi qenë në terren dhe bashkë me qytetarët nuk do ta lëmë të qetë këtë Qeveri për asnjë moment, sepse qetësia dhe injoranca e saj po na kushton. Për çdo organizim do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Nushi.
Kujtojmë se më herët në Prishtinë është protestuar edhe për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, si pasojë e një krize energjetike që ka prekur vendin.







