Operimi në tru i 25 vjeçares transmetohet live në Facebook, ajo ishte e vetëdijshme VIDEO

25-vjeçarja Jenna Schardt është operuar në tru – në gjendje të vetëdijshme – në Teksas të martën, dhe e gjithë procedura u transmetua direkt në Facebook.

Doktorët në Qendrën Mjekësore “Methodist Dallas” kryen operimin për të hequr një masë të enëve të prekura të gjakut në tru e që i kishin sjellë pengesa në të folur dhe i kishin shkaktuar kriza. Në fillim të operacionit, doktorët i dhanë anestezion Schardtin për të lehtësuar qasjen në kafkën e saj. Sapo që arritën në trurin e saj, Schardt u zgjua dhe mund të fliste e të përgjigje në pyetje, duke ndihmuar doktorët në operim.

Gjatë operimit, Schardtit iu tregua një iPad përmes së cilit identifikoi një seri numrash, ngjyrash, kafshë e objekte të tjera. Doktorët në këtë operim shpjeguan se sikur Schardt të ishte në gjendje të identifikonte atë që ishte në iPad, kirurgët e dinin cila pjesë e trurit ishte në rregull që ta preknin, e nëse bënte gabime, ata e dinin cilën pjesë duhet shmangur, transmeton Koha.net.

“20. Banane. Dy. Portokalli”, dëgjohet ajo duke thënë në këtë video. Doktorët përsërisin disa sekuenca me qëllim që ajo të përsëriste fjalët e që të siguroheshin se gjithçka ishte në rregull, shkruan “Time”.

Dhjetëra mijëra njerëz shikuan këtë transmetim. Schardt ka thënë se dëshironte të transmetonte direkt këtë operim për të ndihmuar të gjithë të tjerët që mund të detyrohen të hyjnë në të njëjtin operim. Pak orë pas operimit, spitali shkroi në Facebook se pacientja ishte mirë.

Operimi në tru, me pacientin zgjuar, është duke u bërë procedurë e zakonshme për doktorët vjetëve të fundit. Në një operim kohë më parë, në Universitetin e Rochesterit, pacienti po luante me saksofon teksa i nënshtrohej operimit.