Operacioni që vrau liderin e ISIS: Pamje që tregojnë se Trump vëzhgoi operacionin ushtarak “Obliteration” nga ekrani

Pak minuta pas mesnate në fshatin Barisha në Siria banorët dëgjuan disa zhurma “për ata të zakonshme” që vinin nga lartë. Zhurma e motorëve në errësirë sinjalizonte se diçka po vinte – diçka ushtarake – që në këto zona nënkupton se do të fillojnë luftime të ashpra.

Nuk kaluan shumë minuta kur zhurma e plumbave që fluturonin nga të gjitha anët shkoi në veshët e banorëve. Por, kësaj radhe nuk ishin luftime të zakonshme, për armikun ishte një operacion i papritur.

Ata pak njerëz të besueshëm ndaj organizatës terroriste “Shteti Islamik” u zunë në befasi, kur një grup i forcave speciale që kishin ardhur për të kapur njeriun më të kërkuar në botë – Abu Bakr al-Baghdadi. Pesë vite pasi shpalli “kalifatin” dhe solli valën e re të terrorit në glob, më në fund i është dhënë fund sundimit të liderit të “Shtetit Islamik”.

Derisa zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë në krye me presidentin Donald Trump po shikonin në ekran rrjedhën e operacionit ushtarak, mitralozat nga helikopterët po shkrepnin plumba në drejtim të militantëve të ISIS-it.

Madje disa me breshëri plumbash mbulonin pjesëtarët e njësive elitare Delta Force dhe Rangers që të zbresin nga helikopteri në tokë me litar pa u goditur nga forcat armike.

Të armatosur deri në dhëmbë dhe me qentë dhe robotët për t’i bërë ballë sulmeve kamikaz, 70 burra të fuçitshëm të ekipeve zbarkuan në tokë për të luftuar terroristët.

Në anën tjetër pasi që Trump kishte luajtur një lojë golfi, ishte futur në dhomën operacionale në Shtëpinë e Bardhë për të ndjekur me vëmendje çdo lëvizje të trupave amerikane ku në sallë ishte i shoqëruar nga gjeneralët dhe zyrtarë tjerë ushtarakë.

Ky ishte momenti i planifikuar që nga ai i realizuar në Irak gjatë muajit të kaluar. Zyrtarët irakianë kishin arritur të arrestojnë një nga gratë e shumta të Baghdadit, nipin dhe gruan e njërit nga njerëzit e tij të besueshëm.

Aksioni kishte bërë që të zbulohen koordinatat, vendi i fshehtë dhe njerëzit që e rrethonin liderin e ISIS-it në veriperëndim të Sirisë, që kontrollohej nga Al-Qaeda që konsiderohet organizatë armike e Baghdadit.

Madje për organizatën terroriste që ua mori jetën më shumë se 3,000 qytetarëve gjatë sulmeve të 11 shtatorit në SHBA, dhuna brutale e “Shteti Islamik”, ishte e tepërt dhe për këtë arsye Baghdadi shihej si armik nga ata.

Por me përfshirjen e CIA-s, misioni për ta kapur Baghdadin papritmas u intensifikuar. E prania e Trumpit në zyrën operacionale ndodhi vetëm katër ditëve pasi dha dritën e gjelbër për operacionin ushtarak – edhe pse një mision të tillë e kishte anuluar më herët disa herë në sekondat e fundit.

Zyrtarët e lartë ushtarakë amerikanë kishin njoftuar Moskën, Damaskun dhe Ankaranë zyrtare se “diçka e madhe pritet të ndodhë” duke mos ndarë me ata qëllimin e tyre përfundimtar.

Derisa helikopterët e tipit Chinook dhe Black Hawk i afroheshin zonës së rrezikut në provincën e Idlibit në afërsi të vijës kufitare me Turqinë, adrenalina vetëm sa po rritej.

Nga frika se dikush mund të jetë ngujuar para derës kryesore, trupat elite amerikane hapën një vrimë në murin e “bazës” së Baghdadit. Dy “gra” të veshura me jelek të mbushur me eksploziv që fatmirësisht nuk i aktivizuan, mbetën të vrara në vend së bashku me një grup luftëtarësh të Baghdadit që konsideroheshin si besnik të këtij lideri.

Aty filloi pastrimi i ndërtesës, duke e kontrolluar në detaje çdo dhomë që ishte në errësirë të plotë dhe dëgjoheshin zëra në gjuhën arabe, ku bëhej thirrje që Baghdadi të dorëzohej.

Por, terroristët që ishin të etur për vrasjen e perëndimorëve, detyruan Delta Force të futen më thellë në objekt, duke bërë që çdo hapësirë të kontrollohej. Ata ndihmuan të nxjerrin të gjallë 11 fëmijë, kurse një grup ekstremistësh të ISIS-it kur e kuptuan se nuk kanë nga t’ia mbajnë u dorëzuan.

Dhe në momentin që ky objekt u zbraz, trupat amerikane lëshuan në gjah qentë e tyre për ta ndjekur Baghdadin që po fshihej në një tunel nëntokësor, ku me vete kishte marrë edhe tre fëmijët.

E pasi që e dinin se ishte një rrugë pa dalje dhe nuk kishin nga t’ia mbanin, ata vazhduan tutje, duke dërguar qentë e tyre mirë të trajnuar. Aty përfundoi gjithçka kur Baghdadi aktivizoi jelekun e mbushur me eksploziv duke hedhur veten në erë, dy fëmijët që i kishte marrë peng dhe kështu i tërë tuneli brenda të cilit fshihej u bë rrafsh me tokë.

“Personi që u mundua shumë që të tjerët të jetojnë në ankth, sekonda e fundit të jetës i kaloi në frikë dhe panik total nga forcat amerikane”, ka deklaruar Trump menjëherë pas operacionit ushtarak.

E pas marrjes së mostrave të ADN-së u konstatua se bëhej fjalë vërtetë për Baghdadin të shumë kërkuarin. Në formë të ngjashme kishin vepruar edhe gjatë operacionit ushtarak për kapjen e Osama Bin Laden. Kujtojmë që operacioni për kapjen e Baghdadit është “pagëzuar” me emrin e koduar “Obliteration”.

loading…