Policia e Kosovës dje ka zhvilluar një operacion në Pejë ku në dy raste të ndara, është gjetur dhe konfiskuar mish i prishur, teksa janë arrestuar dy persona të cilët janë dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës dje rreth orës 09:45 në Pejë ka konfiskuar rreth 200 kg mish të prishur në një mishtore, ndërkaq të dyshuarit, edhe në shtëpi i është konfiskuar 903 kg mish.

“Me vendim të Gjykatës, njësitet policore dhe Inspektoret e AVUK-ut, kanë zhvilluar planin operativ për kontrollimin e lokaleve ushqimore, me ç ‘rast në një lokal-mishtore kanë konfiskuar dhe asgjësuar mbi 200 kg mish. Po ashtu, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë konfiskuar edhe 903 kg mish. Lidhur me rastin një mashkull K-Shqiptar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Ndërkaq, në po të njëjtën ditë policia ka konfiskuar një sasi të madhe të ishit të prishur në rrugën ‘Papa Klementi’ në Pejë, ku po ashtu është arrestuar një person dhe është dërguar në mbajtje.

“Me vendim të Gjykatës, njësitet policore dhe Inspektoret e AVUK-ut, kanë zhvilluar planin operativ për kontrollimin e lokaleve ushqimore, me ç ‘rast në një lokal-mishtore kanë konfiskuar dhe asgjësuar mbi 600 kg mish. Lidhur me rastin një mashkull K-Shqiptar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, është bërë e ditur nga policia.

Kujtojmë se policia e Kosovës tashmë e një kohë të gjatë është në ndjekje të atyre që shesin e blejnë sasi të mëdha të mishit të prishur, të cilat më pas i shesin në tregun vendor për t’u konsumuar si ushqim.