Onkologjia nuk i lë qasje Policisë së Kosovës në mbikëqyrjen e burimit radioaktiv

Gjendje skandaloze ka rezultuar në Repartin e Onkologjisë në Kliniken Universitare të Kosovës (QKUK). Në të dyja repartet, atë të Brakiterapisë dhe atë të Teleterapisë janë gjetur shkelje të shumta gjatë inspektimit të fundit që ka bërë Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore në Repartin e Radiologjisë, të bërë në dhjetor të vitit të kaluar.

Demokracia.com ka siguruar raportin inspektues përmes kërkesës për qasje në dokumente publike drejtuar Agjencisë për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Ajo që ka rezultuar skandaloze në Repartin e Brakiterapisë është se mungon sistemi i monitorimit online, që i mundëson qasje Policisë së Kosovës për mbikëqyrje të burimit radioaktiv.

“Reparti Brakiterapisë është konstatuar se mungon sistemi i monitorimit online, që i mundëson qasje Policisë së Kosovës për mbikëqyrje të burimit radioaktiv. Nuk kanë ndonjë procedurë të shkruar për siguri të burimit radioaktiv në Brakiterapi”, thuhet në raport, përcjell Demokracia.com.

Inspektorati, po ashtu, ka gjetur se deri në momentin e inspektimit, Klinika e Onkologjisë (Radioterapia) asnjëherë nuk i ka raportuar raportet mujore/vjetore për dozat e pranuara të rrezatimit të punonjëseve profesional.

Inspektorati ka rekomanduar se në afat prej 60 ditëve nga data e inspektimit të fillojë instalimi i sistemit të monitorimit online, që i mundëson Policisë së Kosovës mbikëqyrjen e burimit radioaktiv në repartin e Brakiterapisë.

Probleme sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes nga rrezatimi janë hasur edhe në Repartin e Teleterapisë, raporton Demokracia.com.

Po ashtu, raporti ka gjetur edhe një keqmenaxhim të raporteve mujore të dozimetrave.

Gjatë inspektimit është gjetur se disa punonjës nuk ishin të pajisur me dozimetër personal (TLD), ndërsa disa të tjerë nuk i mbanin si duhet.

“Nuk kanë raporte për kryerjen e matjeve ditore, javore, mujore dhe vjetore për procedura të kontrolleve dozimetrike dhe mekanike për akceleratrët linear, bazuar në dokumentin e nxjerrë nga Klinika e Onkologjisë me numër 2.1.16. Kishte një keqmenaxhim të dozimetrisë personale /TLD, për punonjësit profesional. Disa punonjës nuk ishin të pajisur me dozimetra personal /TLD, disa nuk i mbanin si duhet, disa nuk i pranonin në kohën e duhur. Nuk mbanin takime mujore me stafin profesional në lidhje me rezultatet e vlerave të dozave mujore të pranuara nga rrezatimi”, thuhet në raport.

Inspektorati ka rekomanduar se në asnjë rast të vetëm të mos bëhet trajtimi i pacientëve pa u bërë kontrolli i dozimetrik dhe mekanik: ditor, javor, mujor dhe vjetor për akceleratorët linear, që janë në funksion në Radioterapi-Teleterapi.