Onkologjia bëhet me aparat të ri për rrezatim, pacientët me kancer marrin shërbimet falas

Në Klinikën e Onkologjisë në QKUK është përuruar aparati i ri për radioterapi (rrezatim) për pacientët me kancer që është një investim me vlerë prej 1.5 milion euro.

Drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi, ka thënë se ky është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës, sidomos ata që vuajnë nga sëmundjet malinje.

“Ne kemi instaluar një aparat modern të trajtimit të pacientëve me rrezatim. Është një formë e re e rrezatimit e cila është standaridizuar në Evropë tash e disa vjet, por në Kosovë së fundmi edhe ne e kemi instaluar si aparaturë. Janë disa teknika që i quajmë IMRT dhe VMAT të cilat janë shumë më precize dhe e targetojnë tumorin shumë më saktë duke mos dëmtuar indet e shëndosha, ose duke i dëmtuar shumë më pak. Aparaturën që ne e kemi pasë i ka plotësuar kushtet deri diku se ka qenë e viteve 2005 dhe 2008. Kjo ka qenë një investim kapital, por benefitet janë shumë të mëdha”.

Kurtishi, në Klan Kosova, ka deklaruar se pacientët kosovarë me kancer nuk kanë nevojë të dalin jashtë vendit për ta marrë këtë trajtim të rrezatimit.

“Çmimet e shërbimeve për teknikat IMRT dhe VMT, në rajon, sillen nga 3000 deri në 5000 euro. Nevojat për këtë shërbim në Kosovë arrijnë në 1000 pacientë që është një kosto shumë e lartë, duke mos llogaritur shpenzimet që bën familja rreth pacientit dhe kohën që humb pacienti dhe familja kur dalin jashtë Kosovës. Me këtë aparaturë ne kemi ngritur cilësinë e shërbimit radioterapeutik në Klinikën e Onkologjisë, derisa brenda një viti shpresojmë që të kemi edhe një aparaturë të re moderne”.

Sa do të paguajë një qytetar i Kosovës për ta marrë këtë shërbim në Klinikën e Onkologjisë?

“Kostoja është zero. Nuk ka paguar as deri sot, meqenëse pacientët me sëmundje malinje janë të liruar nga pagesat por benefiti i kësaj aparature është shumë më i madh në mënyrën dhe kualitetin e trajtimit të tumoreve”.

Drejtori i Klinikës Onkologjike ka treguar se çdo vit në Kosovë janë 3 ose 4 përqind më shume persona të prekur me kancer.

“Në gjashtë muajt e parë të vitit 2021 kemi regjistruar rreth 800-810 raste të reja me kancer që në krahasim me vitin 2019 i bie rreth 5 përqind më shumë. Trendi është në rritje dhe këtë vit mund të përfundojmë me së paku 1500-1700 raste të reja”.