Kryetari i LDK-së

Ofertimi i Kurtit për ta shkruar Draftin pas intervistës së Lajçak, Abdixhiku: Vonë, shumë vonë, e pranove autonominë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pasi ky i fundit duke u ndërlidhur me deklarimin e Miroslav Lajçakut se Drafti është çështje e brendshme e Kosovës, ka ofertuar që vitin tjetër ta shkruaj Draftin bashkë me ministrat Nenad Rashiq e Elbert Kransiqi.

Abdixhiku ka thënë se LDK dhe të gjithë miqtë e Kosovës ka dy vite që i kërkojnë Kurtit ë të hartojë draft statutin e Asociacionit, si një dokument të brendshëm të Kosovës dhe si obligim ndërkombëtar.

Megjithatë Abdixhiku thotë se Kurti ka refuzuar që ta bëjë një gjë të tillë. Kreu i LDK-së, duke kujtuar arsyetimin e Kurtit pse s’propozoi një Draft, thotë se pavarësisht arsyetimit të Kurtit, drafti i ndërmjetësuesit erdhi dhe jo si mes, por si autonomi.

Numri një i LDK-së duke e quajtur Kurti si “kryeministër të shtetit të përkohshëm”, thotë se tashmë është shumë vonë për ta hartuar një Draft për Asociacionin.

Sipas Abdixhikut, qëndrimi i sotëm i Kurtit për ta shkruar Draftin e Asociacionit vitin e ardhshëm është shumë i vonuar dhe kjo vonesë sipas Abdixhikut është e kushtueshme meqë thotë se Kurti “e ka pranuar autnominë”

Reagimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës,

Ka plot dy vite që ne, LDK, dhe gjithë miqtë më të afërt të Kosovës, që i kërkojmë Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e “kryeministrit të shtetit të përkohshëm”, që të hartojë draftin e statutit të Asociacionit, si dokument i brendshëm i Kosovës. Si obligim ndërkombëtar i Kosovës.

Ka dy vite që “kryeministri i shtetit të përkohshëm”, i ulur në tavolinë dialoguese me tre mosnjohjes të tjerë shteti, që ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë.

Në seancën e 3 nëntorit, e kuptuam arsyen. Na tha, “nuk kam dashur të shkruaj një dokument të tillë, meqë kam qenë i bindur se ndërmjetësuesi më pas do të sillte një mes të dokumentit të Kosovës dhe atij të Serbisë”.

Por dokumenti i ndërmjetësuesit erdhi.

Jo si mes, por dhe më rëndë, erdhi si autonomi!

Dy muaj më pas, tek pasi ka pranuar autonominë e serbëve në Kosovë, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e “kryeministrit të shtetit të përkohshëm”, del me propozim që tani Kosova ta shkruaj statutin e Asociacionit vet. Se qenka çështje e brendshme e jona. E paska kuptuar nga ndërmjetësuesi. Dy vjet pas.

Vonë. Shumë vonë. E dëmshme kjo vonesë. E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga “kryeministri i shtetit të përkohshëm” dhe Presidenti i Serbisë.

Dhe jo vetëm kaq.

Ka plot dy muaj që si narracion kryesor të tij, na thotë se ka qenë i gatshëm të nënshkruaj Draft Statutin e Asociacionin me Presidentin e Serbisë. Madje që atë ditë. Merreni me mend, një dokument të brendshëm të Kosovës, ta nënshkruaj jo një President Kosove por një President, hiç më pak se ai i Serbisë. Ka plot dy muaj që ngrisim në pah këtë çmenduri; dhe tek sot, dy muaj më pas, s’kërkon këtë nënshkrim. Nënshkrimi i draft statutit me Serbinë s’është më kërkesë.

Çfarë ndodhi “kryeministër i përkohshëm”?

E kuptove – më në fund – këtë çmenduri?

A e kuptoni se sa pak di? A e kuptoni se sa e dëmshme është kjo vonesë e tij. Paqëndrueshmëria e tij është thelbi i pasigurisë! Padituria e tij është çmimi që paguajmë sot dhe nesër të gjithë.

VIDEO BONUS: Kurti refuzon të përgjigjet për përplasjen me Osmanin