Oferta pune me shumicë nga Gjermania priten në tetor, Kosova rrezikon të humbas edhe infermierë tjerë

QKUK është në alarm nga ikja e profesionistëve shëndetësor. Mjekë e infermierë kanë zgjedhur që ta braktisin këtë institucion publik shëndetësor, për ta vazhduar punën jashtë vendit apo edhe në spitalet private. Veç për nëntë muaj, Kosovën e lëshuan mbi 600 infermierë e staf mbështetës.

Këto statistika po shihen dramatike për zyrtarët e Odës së Infermierëve kosovar. E thirrjet e tyre karshi institucioneve për këtë alarm, ata thonë se nuk o i dëgjon askush. Tutje infermierët kosovarë, në tetor pritet që të marrin oferta pune me shumicë nga Gjermania.

“Situata është shumë shqetësuese. Mund të mbesim pa staf mjekësor”. Kështu po deklarojnë zyrtarë nga Oda e Infermierëve të Kosovës.

Naser Rrustemaj nga kjo Odë, në një bisedë për Nacionalen, ka dhënë deklarata shqetësuese sa i përket ikjes së infermierëve nga Kosova.

Rrustemaj ka deklaruar se për ketë vit, trendi i rritjes është shumë më i madh se sa gjatë vitit të kaluar.

“Deri në këto momente që ne po flasim, mund të ju them se janë diku mbi 600 infermierë e staf tjetër mbështetës që e kanë lëshu Kosovën. Gjithë vitin e kaluar i kemi pasur 600-700 infermier e staf tjetër mbështetës që kanë lëshu Kosovën, por këtë vit, numri është shumë më i madh. Dhe më e keqja është që po na ikin infermier që kanë përvojë që 20 vite, qoftë teknik të anestezionit, qoftë instrumentar, në urgjencë. E këta infermier, nuk mund të zëvendësohen brenda natës”, deklaron Rrustemaj për Nacionalen.

Ai shprehet se për këtë dukuri i kanë alarmuar të gjithë.

“Kjo është shumë shqetësuese. Ne jemi duke e ngritur zërin për këtë dukuri shqetësuese, por nuk po dëgjon askush. Në Gjermani e Zvicër sa po munden po shkojnë”, thotë ai.

Zyrtarët gjermanë në tetor zbarkojnë në Kosovë

E pikërisht për të rekrutuar stafin shëndetësor në Kosovë gjatë muajit tetor pritet të arrijnë edhe disa zyrtarë gjerman.

“Shoqata Evropiane për çështjet Kulturore dhe Sociale (EKSW)” do të organizojë për herë të dytë këtë event e përmes të cilit synohet rekrutimi i kosovarëve për të punuar në Gjermani.

“Infermierë të angazhuar nga Kosova për Republikën Federale të Gjermanisë”, është titulli i njoftimit që kjo shoqatë ka shpërndarë për profesionistët shëndetësor kosovarë.

E në kuadër të këtij organizimi, kjo shoqatë do të informojë të gjitha motrat medicinale, teknikët medicinal si dhe infermierët rreth mungesave të punësimit në të gjitha rajonet e Gjermanisë.

“Të nderuara zonja dhe zotërinj, pas forumit të suksesshëm në vitin 2019 dhe duke pasur parasysh nevojën e pandryshuar për infermierë të kualifikuar në RF të Gjermanisë si dhe interesimin e vazhdueshëm të njerëzve në Kosovë, ne kemi vendosur që në kuadër të këtij evenimenti t´i ftojmë përsëri qytetarët kosovarë, duke ju dhënë të interesuarve një perspektivë për një punësim apo edhe për t´ju mundësuar atyre një kualifikim profesional në profesionet, që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor në Gjermani”, thuhet në njoftim.

Në Kosovë një infermier kujdeset për 80 pacientë gjatë një ndërrimi

Në Klinikën e Onkologjisë së QKUK-së, çdo ditë rreth 300 pacientë marrin trajtim me kimioterapi, e terapi të tjera mbështetëse për luftimin e kancerit. Fatkeqësisht, për gjithë këta pacientë kujdesen vetëm 3 ose 4 infermierë. Pra, një infermier kujdeset mesatarisht 80 pacientë.

“Sa i përket stafit mjekësor qëndrojmë shumë keq. E keni parasysh për një fluks kaq të madh të pacientëve nga 250 deri në 300 në ditë që marrin shërbime në kimioterapi, i kemi vetëm 5 infermierë. Nga këta ka që janë me shërbim në sportel e disa në pjesën e përgatitjes së medikamenteve”, i tha Nacionales, ud. drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi.

Kjo gjendje po i stërngarkon infermierët, të cilët theksojnë se gjendja është demotivuese.

E institucionet publike shëndetësore kosovare po hyjnë në një fazë të frikshme sa i përket mungesës së profesionistëve shëndetësor. Kohëve të fundit, shtetërorin me të madhe po e braktisin edhe anesteziologët.

Si rrjedhojë në klinika janë krijuar lista të gjata të pritjes si pasojë e mungesës së këtyre profesionistëve shëndetësorë.