Reagim

OEK: I papranueshëm ndalimi i kosovarëve nga Serbia nëpër kufij, të merren masa që të mos pengohet lëvizja e lirë

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar pas ndalimit të djeshëm të qytetarëve të Kosovës nga ana e autoritetet serbe në kufirin mes Serbisë e Kroacisë.

OEK tha se ndalimi i qytetarëve nga autoritetet serbe është veprim i papranueshëm, i dëmshëm dhe në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit e integrimit që promovon Kosova por edhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet e BE-së që e synon tërë rajoni.

“Qytetarët e Kosovës, bizneset e Kosovës, kanë treguar se janë të hapur për bashkëpunim me të gjithë pa dallim, por të njëjtën e presin edhe nga popujt dhe shtetet e tjera të rajonit. U apelojmë të gjithëve që të marrin masa që të mos pengohet lëvizja e lirë mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe që qytetarët dhe bizneset e Kosovës të trajtohen të barabartë me të gjithë të tjerët”, thuhet në reagim.

Tutje, Oda Ekonomike i kërkoi institucioneve të BE-së që të marrin hapa konkret që hapat e integrimit të rajonit si parime të Procesit të Berlinit dhe parakusht për anëtarësim në BE të respektohen nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Dje, qindra qytetarë nga Kosova kanë mbetur të bllokuar në nëpër kufijtë e Serbisë nga ana e autoriteteve serbe.

Bashkimi Evropian e ka quajtur këtë veprim të Serbisë si shkelje të Marrëveshjes Bazike.

BONUS VIDEO| I jepet lamtumira e fundit Gjyljeta Ukellës, gruas që u vra nga bashkëshorti i saj në Pejë