Oda e Mjekëve ndan mirënjohje përkujtimore për mjekët që kanë vdekur gjatë vitit 2020

Oda e Mjekëve rë Kosovë u ka ndarë mirënjohje familjarëve të mjekëve që kanë vdekur gjatë vitit 2020 dhe institucioneve shëndetësore mbështetëse të rajonit të Prishtinës për kontributin e dhënë në luftën kundër pandemisë.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se e kanë detyrim që të kujtojnë kontributin e kolegëve që kanë vdekur, sidomos gjatë pandemisë.

“Viti i kaluar ka qenë i rëndë në veçanti për komunitetin tonë të mjekëve që përveç humbjeve të shumta që kemi në radhët tona si pjesë e jetës së zakonshme që edhe jeta e vdekja janë pjesë e saj, na është shtuar edhe mortja e madhe që po ndodhë anë e mbanë botës. Kemi për detyrim që si Odë e Mjekëve të kujtojmë ata të cilët ishin pjesë e jona, e punës sonë për tu shërbyer popullatës. Bazuar në rregulloren për dekorata e medalje të Odës, komisioni gjegjës ka marrë vendim që kolegët tanë që ndërruan jetë gjatë vitit 2020 të nderohen me medaljen ‘Nderi i mjekut”, ka deklaruar ai.

Familja e doktor Abaz Krasniqi, Adem Limani, Bedri Sadriut, Bedri Zahiti e Gjon Gjidoda ishin disa nga ata që morën dekorata.