Rripi i Gazës

OBSH: Urdhri për evakuim të spitaleve, i barabartë me dënimin me vdekje

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dënuar ashpër urdhrat e Izraelit për evakuim të 22 spitaleve që po trajtojnë më shumë se 2000 pacientë në veri të Gazës.

“Detyrimi i më shumë se 2000 pacientëve që të shkojnë drejt jugut të Gazës… mund të jetë e barabartë me dënimin me vdekje”, thuhet në një reagim të OBSH-së.

OBSH-ja ka thënë se punonjësit shëndetësorë në masë të madhe kanë zgjedhur të qëndrojnë me pacientët në të njëjtat vende, në vend se t’i rrezikojnë pacientët në gjendje të rëndë.

OBSH-ja ka paralajmëruar po ashtu se shumë civilë po kërkojnë strehim rreth spitaleve.

Komunikata e organizatës përfundon duke i bërë thirrje Izraelit që menjëherë t’i tërheqë urdhrat për evakuim dhe të mbrojë objektet shëndetësore, punëtorët, pacientët dhe civilët.

Të paktën 70 persona, në mesin e tyre gra e fëmijë, kanë vdekur kur kolona me automjete është bombarduar në Gaza të shtunën. Mijëra palestinezë janë duke u larguar nga veriu në jug të Gazas me urdhër të Izraelit. Autoritetet palestineze kanë thënë se në mesin e të vdekurve ka fëmijë dy-vjeçar.