OBSH përmend infermieren kosovare që humbi jetën 3 ditë para se të dilte në pension

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka shprehur mirënjohje për Drejtorin Gjeneral të Organizatës Botërore të Shëndetësisë Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili në ditën Ndërkombëtare të qasjes universale në mbrojtje shëndetësore si pjesë e Ditës ndërkombëtare të Infermierëve dhe Mamive, ka përmendur kontributin e infermierës Vjollca Berisha.

Ghebreyesus, ka përzgjedhur të përmend dhe të falënderoj për kontributin e dhënë inf. Vjollca Berisha e cila ka punuar për 45 vite në Spitalin e Gjakovës pa reshtur në shërbim të qytetarëve ku së fundmi  tre ditë para daljes në pension e ka humbur betejën me COVID-19.

“Prandaj FSSHK e vlerëson se është nder i madh që i bëhet shëndetësisë Kosovare ku në mesin e mijëra punëtorëve shëndetësor  Drejtori i OBSH-së ka përzgjedhur të shpalos biografinë e punëtores kosovare, anëtares së devotshme të FSSHK-së si shembull në shërbim të pacientit.

Andaj ky mesazh i dhënë për fund vit vetëm se e shton edhe më shumë gatishmërinë dhe vullnetin e punëtorëve shëndetësor që edhe në këtë betejë e cila fatkeqësisht po iu merr edhe jetën vazhdojnë të ofrojnë shërbime cilësore shëndetësore.

FSSHK beson se edhe në të ardhmen do të ketë bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë në të mirë të shëndetësisë Kosovare”, thuhet në komunikatën e FSSHK-së.