OBSH paralajmëron një valë të dytë infektimesh nga koronavirusi në këto vende

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të hënën se vendet ku rastet me koronavirus kanë rënë ndjeshëm mund të përballen “me një valë të dytë të menjëhershme” nëse heqin shumë shpejt masat parandaluese të pandemisë.

Sipas kreut të emergjencave në OBSH, Mike Ryan, bota ndodhet ende në mes të valës së parë të pandemisë së koronavirusit, duke theksuar se rastet e reja po ulen në shumë vende, ndërkohë që Amerika Qendrore dhe ajo Latine janë kthyer në epiqendrat e reja të virusit vdekjeprurës me origjinë nga Kina.

Ryan deklaron se epidemitë shpesh vijnë me valë, gjë kjo që nënkupton se përhapja mund të rikthehet më vonë gjatë vitit në ato zona ku vala e parë është qetësuar.

Ai shton se ekziston mundësia që rastet e reja mund të rriten me shpejtësi nëse masat për të parandaluar valën e parë janë hequr shumë shpejt.