James O’Brien

O’Brien: E mbështesim rrugën e Malit të Zi drejt BE-së

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, gjatë qëndrimit të tij në Podgoricë të hënën ka thënë se ky vend është partner i fortë i NATO-s dhe se e mbështet në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.

“Me këtë Qeveri ka mundësi për të filluar një integrim më të thellë, jo vetëm evropian, por transatlantik. Ne mbështesim qëllimin e Malit të Zi për të qenë anëtar i BE-së. Ne mbështesim rrugën e Malit të Zi drejt BE-së. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me investimin në Mal të Zi, por Mali i Zi po hap derën për një treg më të gjerë”, tha O’Brien, raportojnë mediat malazeze.

Kur bëhet fjalë për BE-në, shton ai, po përgatitet një paketë për Malin e Zi që duhet të reduktojë kostot financiare dhe të përshpejtojë transportin.

“Ne shpresojmë se do ta bëjë jetën më të lehtë për të gjithë. Qëllimi i dialogut Amerikano-Mali i Zi është që Mali i Zi të hapë dyert e tij dhe ky është imazhi që ne duam t’u përcjellim njerëzve nga komuniteti i biznesit”, potencoi O’Brien.

Ndërkaq kryeministrin malazias, Milojko Spajiç, ka theksuar se temë kryesore e takimit me O’Brien ishte ekonomia, teksa ka theksuar se pret rezultate të mëdha sa i përket tregut malazias.

“Ne presim që ekonomia amerikane të jetë më e interesuar për tregun tonë. Kemi 90 reforma që duhet të zbatohen për t’iu afruar tregut të BE-së. Presim më shumë tregti, investime dhe turistë nga Amerika”, shtoi Spajiqi.

VIDEO BONUS: Kurti: Me SHBA-në jemi partnerë, por s’pajtohemi çdoherë