Nxënësve në Serbi po u ligjërojnë kriminelët serbë

Serbia po vazhdon të lartësojë kriminelët serbë. Shumë shkolla e rrugë po emërohen me emrat e tyre, derisa të tjerë po mbajnë edhe ligjërata para të rinjve serbë në Serbi.

Të dënuarit për krime lufte në Kosovë po mbështeten nga institucionet serbe që të ushqejnë, kinse, frymën e të drejtës historike për të kryer krime mbi popujt fqinj. Një gjë të tillë, profesorë universiteti e konsiderojnë tendencë për të synuar narrativen e viteve të ’90-ta. Ata kërkojnë që bashkësia ndërkombëtare të reagojë, pa bërë kalkulime ditore.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Serbi ka reaguar së fundmi për lartësimin e kriminelit Nebojsha Pavkoviq, i cili është dënuar me 22 vjet burgim për krime kundër njerëzimit. Ai ka ligjëruar në një shkollë të Novi Sadit, me temën “Tregime heronjsh”.

Përveç ligjëratave në shkolla, Pavkoviq është mbështetur nga Ministria e Punëve të Brendshme për të botuar libër me lavde për krimet që kanë kryer në Kosovë.

Një gjë e tillë nuk po ndodhë vetëm në Serbi. Komuniteti serb në Kosovë po vijon mësimet në kurrikulë të Serbisë.

Helmim të fëmijëve serbë e konsideron profesori universitar, Rrahman Paçarizi, tendencën e Serbisë për lartësimin e kriminelëve të dënuar për krime në Kosovë.

Edhe sipas profesorit Bardh Rugova, Serbia po vazhdon me synimet dhe narrativën e njëjtë të viteve të 90-ta.

Për Rugovën është e çuditshme se si një gjë e tillë nuk po shpërfaqet në sytë e ndërkombëtarëve.

Shumë shkolla dhe rrugë janë të emërtuara me emrat e kriminelëve serbë, thotë profesori Rrahman Paçarizi.

Së fundmi, Komisioni Evropian përmes një non-paper dërguar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian ka theksuar se Serbia po vazhdon pa pasoja madhërimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe të njëjtëve është duke iu dhënë hapësirë publike dhe politike. Në këtë non-paper përfshihen përmbushjet e kritereve nga Serbia për kapituj 23 dhe 24 të negociatave për anëtarësim./KosovaPress