Adri Nurellari, këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përdorur një gjuhë më të sofistikuar në kërkesën për tërheqjen e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë.

Nurellari deklaroi në Info Magazine se SHBA-të nuk kërkuan përfundimisht tërheqje të taksës, sikurse ishte kërkesa e zyrtarëve të Bashkimit Europian, por kërkuan t’i jepet shans dialogut, Kosovë – Serbi, njofton Klan Kosova.

”Tarifa doganore ishte një reagim i drejtë, dëshmi e sovranitetit të Pavarësisë së Kosovës ndaj një shteti agresor që nuk respekton të kaluarën e dhimbshme dhe vazhdon ta dëmtojë dhe ta fyejë shtetin e Kosovës”.

”SHBA-të në kërkesën e tyre kanë përmendur një shprehje tjetër – “pezullimin”, që është diçka më e butë dhe më e kuptueshme sesa revokimi i një vendimi, siç kërkoi Bashkimi Europian”.

”Duhet të theksohet kjo gjë: nëse gjuha e Brukselit ka qenë një gjuhë ‘hiqe-hiqe-hiqe’, mos të themi ‘e shëmtuar’ – SHBA-të treguan se janë aleatë të vërtetë, sepse përdorën një gjuhë më relaksuese kur bëhet fjala për suspendim”.

”Miqësia mes Kosovës e SHBA-ve është një marrëdhënie jetike dhe insistimi i tyre kërkon një reflektim duke pasur parasysh rëndësinë që ka miqësia e ngushtë”.

”Duhet të dëgjohen SHBA-të, duhet reflektuar dhe duhet diskutuar me ta sepse mbi të gjitha janë interesat e shtetit. Mbi të gjitha, besnikëria e miqësisë ndaj kësaj aleance është më se e rëndësishme”.

”Mendoj që ky do të jetë një reflektim për PDK-në dhe nuk do të vihet bisht qoftë nga kryeministri, por edhe nga të tjerët”.

”Kemi një hipokrizi të mirëfilltë e cila u manifestua. Edhe pse ka një marrëveshje të CEFTA-s, Serbia e ka shkelur duke bllokuar dhe penguar eksportet dhe çdo lloj veprimtarie të biznesmenëve të Kosovës”.

”Taksa ishte vendim i drejtë, por sigurisht i konsultuar me partitë e mazhorancës dhe i mirëpritur nga qytetarët”.

”Në aspektin strategjik i ka dhënë Kosovës edhe një çështje për të diskutuar, ndërsa Serbia ka treguar disa nuanca të pastra të standardeve të dyfishta”.

”Tarifa pati një sukses të vetin, ka bërë një shkundje të vëmendjes në Bruksel. Ka pasur efektin pozitiv të lidhjes me Shqipërinë”.