Nurellari: Albulena Haxhiu të japë dorëheqje, IML është pjesë e ministrisë që udhëheq

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur për media, tha se mostrat e ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari, janë zhdukur nga Laboratori i Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku u.d. është Flutura Gogaj, e emëruar nga Qeveria Kurti.

Lidhur me këtë, analisti Adri Nurellarin ka thënë për Demokracia.com se Instituti i Mjekësisë Ligjore është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe në një situatë të tillë, ministrja Haxhiu do të duhej të jepte dorëheqje.

Nurellari ka ironizuar duke thënë se me standardet amatore të Qeverisë Kurti, me siguri ministrja Haxhiu do të dalë përsëri në demonstratë para institucionit që drejton.

“Instituti për Mjekësi Ligjore është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, që do të thotë se në një qeveri normale me politikanë të përgjegjshëm Haxhiu do duhej të jepte dorëheqje për këtë ngjarje të rëndë e të dyshimtë. Mirëpo me standardet amatore të Qeverisë Kurti, me siguri ministrja Haxhiu do dalë përsëri në demonstratë para institucionit që drejton”, ka thënë Nurellari.

Ndryshe, më 28 gusht 2021 i kishte përfunduar mandati i drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliut, i cili më pas nuk i ishte vazhduar nga Ministria e Drejtësisë. Që nga ajo kohë, me këtë institucion udhëheq Flutura Gogaj, të cilës i ishte besuar kjo pozitë nga ministria e Albulena Haxhiut.