Nuredin Lushtaku dërgohet 48 orë në mbajtje, seanca po vazhdon edhe ndaj dy të dyshuarve për sulm

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Lushtaku është dërguar në mbajtje për 48 orë, përderisa seanca për vendimin e caktimit të masës së paraburgimit në Gjykatën themelore të Mitrovicës po vazhdon.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni e ka konfirmuar këtë për Demokracia.com.

“Po është dërguar në mbajtje për 48 orë. Seanca për paraburgim po vazhdon”, ka thënë Preteni për Demokracia.com, i cili shtoi se seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij dhe dy të tjerëve është duke u mbajtur në objektin e Gjykatës Themelore dhe pritet të vendoset se çka do të ndodhë tutje.

Nuredin Lushtaku fillimisht gjatë ditës së djeshme ishte marrë në pyetje nga policët hetues, përderisa mëngjesin e sotëm është dorëzuar në Polici pasi dyshohet të jetë përfshirë në plagosjen e policit bashkë me Faton Lushtaku dhe Arif Lushtaku.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarit F.L., dhe A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit F.L., A.L., dhe N.L., me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj me iniciale E.B., dhe M.G., që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë. /Demokracia.com/