Numërohen mbi 93% e votave, vazhdon beteja në Durrës!

Rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit, ashtu siç është deklaruar nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, do të dalë brenda 48 orëve. Kjo sepse procesi i numërimit ka vijuar me ritme të larta, ku deri më tani janë numëruar mbi 93% e votave dhe Partia Socialiste e ka të sigurt fitoren. Kjo i sjell mandatin e tretë qeverisës, duke u bërë kështu partia e parë që të qeverisë për tre mandate radhazi.

Duke folur me gjuhën e shifrave, PS ka arritur që të marrë deri tani 74 mandate, duke mundësuar krijimin e qeverisë e vetme, pa pasur nevojën e krijimit të koalicioneve paszgjedhore. 

PD ka njohur një rritje krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ku aktualisht ka marrë 59 ulëse në Kuvendin e ri krahasuar me 46 që ka pasur në 2017. Në këto zgjedhje, LSI përtej çdo pritshmërie të përfaqësuesve të kësaj force politike (por jo sipas sondazheve), ka arritur që të marr vetëm 4 mandate nga 19 që ka pasur në zgjedhjet e kaluara. PD ka ruajtur bastionet e saj në veri me Kukësin, Lezhën, Shkodrën, dhe Dibrën edhe pse te kjo e fundit diferenca ka qenë shumë e ngushtë. Nga ana tjetër, PS ka arritur që në një pjesë të qarqeve ka arritur që të marrë objektivin maksimal, siç është në Gjirokastër por edhe në Berat, ku LSI është zhdukur nga ky qark duke humbur edhe 2 mandatet e marra në 2017. Këto mandate i kanë shkuar një PS duke marrë 5 mandate dhe një PD duke marrë 2 mandate.

Ndërkohë në Elbasan, PS ka humbur mandatin e nëntë vetëm për një ;grusht votash’ por gjithçka pritet të sqarohet. . PS ka marrë deri 8 mandate, PD 6 dhe LSI asnjë, ndërsa duket se qarku do të shkojë drejt rinumërimit në KQZ. Sipas Taulant Ballës, i nënti në listën e kandidatëve të PS në Elbasan, socialistët e kanë fituar edhe mandatin e 9, sipas llogaritjeve të tyre. Edhe në këtë qark rezultati duket i kushtëzuar nga një numër shumë i lartë skedash të pavlefshme për shkak të gabimeve të bëra nga zgjedhësit, që pasi kanë votuar partinë, kandidatin e kanë zgjedhur të një force tjetër politike. Një fenomen që është regjistruar në të gjithë vendin. 

Në Qarkun e Korçës fituese është shpallur PS me 6 mandate, e ndjekur nga PD me 5 mandate. LSI nuk ka marrë ansjë mandat edhe pse po luftonte fort për të marrë një të tillë deri në momentet e numërimit të kutive të fundit në Bashkinë e Maliqit.

Partia Socialiste po lufton të mbajë mandatin e tetë në Durrës, ku mbeten për t’u numëruar ende një numër i lartë kutish. Mandati i 14-të i Durrësit është bërë fushëbetejë ,es PS dhe LSI.

Supriza e këtyre zgjedhjeve ishte PSD e Tom Doshit që mori deri tani 3 mandate, 2 në Shkodër dhe 1 në Tiranë, e megjithatë po aq suprizë ishte vendimi i tij për t’u tërhequr nga marrja e mandatit me një dorëheqje të parevokueshme, teksa tha se do bëjë koalicion me PS.