IKSHPK ka bërë të ditur se sot janë konfirmuar edhe 37 raste të reja me Covid-19 në Kosovë. Ndërkohë bëhet e ditur se edhe 21 persona janë shëruar pasi kanë dalë negativ në dy testet.
Rastet e reja janë raste kontakti dhe vijnë nga këto vendbanime: Nëntë (9) raste me vendbanim në Lipjan, tetë (8) raste me vendbanim në Pejë, gjashtë (6) raste me vendbanim në Prishtinë, pesë (5) raste me vendbanim në Skorobishtë-Prizren, katër (4) raste nga Komuna e Podujevës (sipas vendbanimit: dy (2) raste Podujevë dhe dy (2) raste Pollatë), dy (2) raste nga komuna e Zubin Potokut dhe nga një (1) rast vendbanimet: Pjetërshticë-Shtime, Stubëll-Viti dhe Zveçan.
IKSHPK bën thirrje që të respektohen rekomandimet e saj për mbajtje të distancës dhe higjienës në mënyrë që të kalojë më shpejt kjo krizë pandemie.
Në anë tjetër ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka dhënë lajme të mira për disa komuna. “Është inkurajuese se nga disa Komuna si Malisheva, Ferizaj dhe Suhareka, si vatra te infeksionit për disa ditë, sonte nuk ka asnjë rast. Por, kemi vatra ose shtim të numrit në disa lokalitete të reja. Ata presupozohet që e kanë marrë këtë virus të paktën dy javë më herët, pra në fillim të prillit, nga kontaktet e tyre”, ka thënë Vitia.
“Masat mbrojtëse janë përnjëmend shpëtim. Distanca e ruajtur dhe me miqtë apo të afërmit është përnjëmend mbrojtje. Nuk koritemi nëse i bëjmë zakone këto rregulla shëndetësore. Përkundrazi i mbrojmë familjarët dhe miqtë. Deri më sot specialistët kanë testuar 5009 mostra. Nesër plani i tyre vijon me rastet e gjurmuara”, ka shtuar ai.







