Nuk votoi rezolutën kundër raportit të Dick Marty, Berisha: Ika se kisha punë, por e deklarova votën pro

Ish kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama i cili tha se ndjen neveri për të pasi nuk ishte i pranishëm në Kuvend kur është votuar projekt rezoluta kundër raportit të Dick Marty.

“Për arsye pune nuk isha por deklarova votën pro në Kuvend. E pranova dhe thashë se do e votojmë këtë rezolutë. Kjo është e rëndësishmja. Ishte vendosur që ne si deputetë ta votojmë. Këtë e deklarova në parlament. Obligime të tjera më detyruan që të largohem. Unë e kam denoncuar raportin e Dick Martyt. E kam denoncuar në PE në Këshillin e Evropës.

Ne hymë në parlament për të votuar, ai hyri për të fshehur autorët. Në çdo seancë ne rezolutën për Kosovën do ta ngremë”.

Në një postim në Twitter, Rama duke komentuar largimin e Berishës nga Kuvendi tha se kjo është “një tjetër arsye neverie për politikën pa din e iman të kinse patriotëve kundër Kosovës”.

“Mosvotimi dje në Kuvend nga ana e të damkosurit si NonGrata (tanimë jo vetëm nga SHBA)i rezolutës për hedhjen poshtë në mungesë totale provash të raportit të Dick Marty,është një tjetër arsye neverie për politikën pa din e iman të kinse patriotëve kundër Kosovës!FLM të tjerëve!

Sa për dokrrat e tjera turbopatriotike,që e kanë kthyer politikën e jashtme të Kosovës në politikë të brendshme të Kosovës e Shqipërisë bashkë,Partia Socialiste e Shqipërisë as nuk i ka prodhuar as nuk i prodhon, as i ka çmuar e as i çmon ndryshe përveçse si kotësisht të dëmshme!”, shkruan Rama.

Dje kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t me 125 vota pro. Rezoluta e propozuar nga shumica i konsideron të pabaza pretendimet e ngritura në vitin 2011 nga një raport i asamblesë së Këshillit të Evropës, sipas të cilit gjatë luftës në Kosovë është kryer trafik organesh njerëzore nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. PS e quan fitore miratimin e rezolutës, teksa thotë se tashmë beteja shkon në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku do të kërkojnë një raport vijues dhe më pas ndryshimin e Rezolutës ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe në Kosovë.