Nuk ua mundësoi studentëve banimin me recepsion gjatë muajit korrik, Qendra e Studentëve kishte interes që të mbylleshin konviktet në qershor

Studentët e Universitetit të Prishtinës u detyruan që t’i lëshojnë konviktet 15 ditë më herët, e kjo erdhi krejt si mos interesim i Qendrës Studentore.

Studentët të cilët jetojnë në qytete më të largëta nga Prishtina, apo më specifikisht më larg se 25 kilometra u mundësohet banimi në Qendrën e Studentëve, duke filluar nga një (1) tetor deri në fund të muajit qershor.

Mirëpo është edhe një mundësi tjetër për zgjatjen e banimit në konvikte, që janë dy javët e para të korrikut, për studentët që i vazhdojnë provimet edhe gjatë gjysmës së këtij muaji.

Por që kësaj radhe studentëve të UP nuk iu mundësua qëndrimi në konvikte me recepsion, me pretekstin që nuk ka pasur interesim të mjafueshëm dhe nuk është mbushur numri i studentëve për qëndrim edhe gjatë korrikut.

“Njoftohen studentët banues në konvikte se nuk do të ketë banim me recepcion gjatë muajit korrik 2022. Kjo vjen si rrjedhojë e kërkesave shumë të vogla nga ana e studentëve banues”, thuhet në njoftim të QS.

Burime të Insajderit kane mësuar se Qendra kishte interes që këtë vit mos të mbahet banimi me recepsion.

“Qendra kishte interes që këtë vit mos të mbahet banimi brenda muajit korrik dhe jo se kishte kërkesa të pakta”.

Derisa në anën tjetër Qendra Studentore ka informuar se gjatë kësaj periudhe Qendra e Studentëve do të strehojë 700 pjesëmarrësve të Kampionatit Botëror të Hendbollitdo të vendosen pjesëmarrësit e Universitetit Veror të UP-së dhe pjesëmarrësit e Seminarit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

E.SH, studente në UP dhe banuese në Qendrën Studentore, ka thënë për Insajderin se mos hapja e banimit me recepsion edhe gjatë korrikut, i ka shkaktuar probleme me shpenzimet pasi që për provime gjatë korrikut i është dashtë që të udhëtoj nga Vitia.

“Qëndrimi në konvikt edhe gjatë muajit korrik do të më konvenonte shumë pasi që kam pas provime edhe në këtë muaj dhe udhëtimi për çdo provim po më paraqet problem, si për shkak të rrugës por edhe për shkak të shpenzime”, tha ajo për Insajderin.

Përfundimi i banimit në Qendrën Studentore i ka hapur telashe edhe studentës B.F e cila ka thënë se për shkak të punës praktike i duhet që të vazhdojë banimin në Prishtinë, por me mbylljen e konvikteve ajo nuk ka tjetër zgjidhje vec se të paguajë banesë për banim.

“Për shkak se kam filluar tash e disa muaj punë praktike po më duhet që të vazhdoj banimin në Prishtinë, mirëpo pasi konviket u mbyllen, zgjidhje e vetme që kam është banimi në banesë, pasi udhëtimi përpos që është shumë e lodhëshme po është edhe mjaft i kushtueshëm, për ne si studentë”.

Insajderi do ta monitoroj edhe vitin tjetër këtë proces në detaje dhe do të ju mbaj të informuar/GazetaInsajderi.