Kriteret e papërmbushura
Nuk përmbushen standardet, ndërpritet asfaltimi i rrugëve në Banjë të Malishevës
Komuna e Malishevës ka ndërprerë punën në asfaltimin e rreth një kilometri rrugë në fshatin Banjë, për shkak se operatori nuk i ka përmbushur kriteret e parapara, gjegjësisht për trashësinë dhe cilësinë e asfaltit.
Kjo ka ndodhur sot, gjatë inspektimit të punimeve në asfaltimin e kësaj rruge nga ana e nënkryetarit të Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit, Islam Vrenezi dhe mbikëqyrësit të punimeve në këtë rrugë, Januz Krasniqi.
Pas ndërprerjes së punimeve, në asfaltimin e rrugës në lagjet e Samadraxhëve dhe atë Telakëve, është urdhëruar operatori që të bëjë përmirësimet e nevojshme, për cilësinë e asfaltit, ashtu edhe në respektimin e kriterit për trashësinë e tij.
“Nuk do të lejohet asnjë operator që të shkelë kriteret e parapara për projektet e caktuara”, tha Berisha.
Këtë zotim se nuk do të lejohet shkelja e kritereve dhe që punimet duhet të jetë cilësore dhe sipas standardeve, nënkryetari Berisha, e ka thënë në vazhdimësi në çdo inspektim të punimeve në projektet të cilat i realizon Komuna e Malishevës.