Në seancën e parë të rigjykimit për rastin ku Gani Geci akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, që kishte ndodhur më 4 gusht të vitit 2014, prokurori Naim Beka ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën e përdorimit të armës.

Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka dhe heq dorë nga pika e tretë e aktakuzës.

Pas kësaj, në seancën e mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Gani Geci ka deklaruar se për pikën e dytë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, e ka pranuar fajësinë. Ndërsa për pikën e parë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të vrasjes, Geci tha se nuk ndihet fajtor.

“E pranoj fajësinë për mbajtje dhe posedim të armës. Armën e kam mbajtur për vetëmbrojtje, pasi kam pasur disa atentate. Ndërsa për veprën penale vrasje e rëndë nuk ndihem fajtor”, ka deklaruar i pandehuri Geci.

Mirëpo, pranimi i fajësisë është refuzuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Radosllav Markoviq, pasi sipas tij, pranimi i fajësisë shqyrtohet kur të jepet në të gjitha pikat e dhëna si në aktakuzë.

Kështu, seanca ka vazhduar me fjalët hyrëse të palëve në procedurë.

Prokurori Beka ka deklaruar se mbetet pranë fjalës hyrëse që është dhënë më parë nga kolegu i tij, më 4 prill 2016.

“Pas administrimit të provave, do të sjell te marrja e një aktgjykimi meritor, duke marrë parasysh vërejtjet që janë deponuar nga Gjykata e Apelit, ne presim po ashtu që përveç ri-administrimit të provave tjera dhe nga ri-administrimi i provave që i referohet statusit mendor te të pandehurit në kohen e kryerjes së veprës penale, gjykata po ashtu besoi se do të nxjerr konkluzione të ligjshme dhe në fund do të kemi një situatë më të kompletuar rreth kësaj ngjarje”, ka deklaruar prokurori Beka.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Ndercë Dodaj ka thënë se çështja e akuzës është totalisht e parregullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Aktakuzat e ndryshme por edhe sipas ish–prokurorit është bërë në pikëpamje objektive. Ai konstatim qëndron edhe tani ne mendojmë së çështja e akuzës është totalisht e parregullt, dhe kjo akuzë siç është lexuar është në kundërshtim me shumë parime të Kodit të Procedurës Penale, zakonisht shkeljet bëhen në dëm të pandehurit, ashtu që shpresoi që në fund të këtij shqyrtimi gjykata do të merr një vendim krejtësisht tjetër nga ajo që pretendohet sipas aktakuzës”, ka thënë avokati Dodaj.

Pas fjalëve hyrëse, gjykimi ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit Afrim Rama, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Më 15 shtator 2014, dëshmitari Afrim në një moment thotë “në momentin kur i tha përshëndetje Ruzhd, Ganiu u ndal dhe u kthye”, po që mos të kishte qenë kjo përshëndetje a do të ndalej Ganiu apo do të vazhdonte sheshit?”, e ka pyetur prokuroi Beka dëshmitarin Rama.

“Vete Ganiun ai e din a ishte ndal apo jo, nuk  e di dhe skam qysh me ditë, edhe ka qenë pas shpinës tem Ganiu”, u përgjigj ai.

“E kujt ka qenë ideja që këta të bashkohen në kafenenë “N’ Qosh”, apo ka ndodhur spontanisht?”, ka pyetur tutje prokurori, për çka dëshmitari u përgjigj: “Spontanisht ka ndodhur”.

Ndërsa, në pyetjet e avokatit Nderc Dodaj, dëshmitari ka deklaruar se nuk e ka parë Gani Gecin duke hyrë apo që ka qenë në lokal.

Pas dëgjimit të tij, seanca e së martës u ndërpre për të vazhduar më 14 prill 2021, në ora 10:00, ku do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve Shani Koca, Sinan Hajrizi, Nebih Koca dhe Ermal Jusufi.

Ndryshe, gjatë seancës, me pajtimin e prokurorit Beka dhe avokatit Dodaj, është konsideruar e lexuar dëshmia e dëshmitares Halime Shaqiri, pasi e njëjta nuk ishte e pranishme në gjykatë, për çka gjykatësi Markoviq deklaroi se e kishte pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, por se nga fletë kthesa është konstatuar se adresa është e panjohur.

Ndryshe, kjo është seanca e parë e caktuar që nga kthimi i këtij rasti në rigjykim nga Gjykata e Apelit, në shtator të vitit 2017, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Ai akuzohet se vrasjen e kishte kryer në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014.

Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.

Pas vendimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit kishte shqyrtuar ankesat e palëve, më 26 shtator 2017 dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin e veprës penale sipas aktakuzës së ndryshuar në “vrasje të rëndë”, pasi nuk ishte e qartë se për cilën vepër penale e ka shpallur fajtor.

Sipas vendimit, nga emërtimi ligjor i veprës penale sipas dispozitivit të aktgjykimit rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes”, kurse nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, respektivisht, fakteve dhe rrethanave që përbëjnë figurën e veprës penale del se i akuzuari ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kundërthënie këto që sipas shkallës së dytë e bëjnë të pakuptueshëm dispozitivin e aktgjykimit.

“Këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimit, ngase janë të natyrës absolute dhe nuk mund të evitohen në këtë procedurë, sepse bëjnë të pamundur vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së aktgjykimit në fjalë”, thuhej në aktvendimin e Apelit.

Ndërkaq, me këtë aktvendim, ankesat e të dëmtuarës Halime Shaqiri dhe përfaqësuesit të autorizuar të saj, avokatit Sokol Dobruana, Apeli i kishte cilësuar si jolëndore.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 15 dhjetor 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj Gani Gecit, me arsyetimin se më 4 gusht 2014, rreth orës 18:50, në rrugën “Sheshi Adem Jashari” në Skenderaj, saktësisht në ballkonin e kafiterisë “N’ Qosh”, për shkak të një konflikti të mëhershëm të datës 19 tetor 2001, për plagosjen e tij dhe vrasjen e dy gazetarëve Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku, i njëjti e kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Geci kishte qenë duke dalë nga brendësia e kafiterisë dhe kishte qenë duke shkuar në drejtim të sheshit bashkë më Zijadin Gecin, përderisa tani i ndjeri Shaqiri kishte qenë bashkë më personat Shani Koca, Nehat Koca, Sinan Hajrizi, Ermal Jusufi, Afrim Rama, Blerim Musliu dhe Emin Lati, që të gjithë këta të ulur bashkë në një tavolinë, e cila kishte qenë e vendosur në anën e djathtë të ballkonit kur futesh nga hyrja e këtij lokali. Sipas aktakuzës, përderisa i pandehuri ishte në shkallët e fundit të daljes së lokalit dhe kishte hedhur shikim në drejtim të sheshit, kur papritmas kishte dëgjuar fjalët “Selam Alejkum”, në ato momente ai kishte ndaluar dhe ishte kthyer në drejtim kah kishin ardhur ato fjalë dhe e kishte parë të ndjerin Ruzhdi Shaqiri i cili kishte ngritur dorën e tij të djathtë në ajër, ku pastaj i pandehuri Geci kishte shkuar në drejtim të viktimës dhe ishte ballafaquar më të nga një distancë përafërsisht një metër dhe i kishte thënë “a i ke mbledhur pleqtë për tu betuar se ku ke qenë rreth orës 19:10?”.

Siç thuhet në aktakuzë, Ruzhdi Shaqiri pastaj më këmbën e tij të majtë e kishte shtyrë tavolinën dhe i’a kishte kthyer “Zhduku P… Nane…., unë nuk ta kam frikën nxirre dhe më gjuaj”, ku përderisa ai po thoshte këto fjalë sulmuese, Gani Geci njëkohësisht kishte filluar të ngritët edhe më këmbën e majtë e kishte shtyrë tavolinën dhe dorën e djathë e kishte drejtuar pas shpine, ndërsa në anën e djathtë të brezit dhe më këtë rast i pandehuri ishte ndjerë i ofenduar dhe i kërcënuar nga viktima Shaqiri, ku i pandehuri kishte nxjerr revolen e tij të kalibrit 7.62 mm, M-57-gjysëm automatike prodhim jugosllav dhe kishte qëlluar katër herë në drejtim të viktimës, duke e plagosur në pjesën e sipërme të shpatullës së djathtë, në anën e jashtme të dorës së djathtë dhe pjesën e sipërme të shpatullës së majtë, më ç’ rast nga plagët e shkaktuara dhe gjakderdhja e madhe që kishte ardhur nga shpuarjet e mushkërisë dhe mëlçisë si pasojë e veprimit dinak të predhave të dala nga arma e zjarrit, viktima vdes rrugës për në spitalin e Mitrovicës.

Më këtë, Gani Geci akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, në kundërshtim me nenin 179 (1.5) të KPK-së, vepër kjo e dënueshme me jo më pak së dhjetë vite burgim deri në burgim të përjetshëm.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 4 gusht 2014, deri më 22 gusht 2014, i pandehuri Gani Geci kishte pasur në posedim dhe kontroll armën e kalibrit 7.62 mm, M-57- gjysmë – automatike prodhim jugosllav, në kundërshtim më ligjin në fuqi të aplikueshëm për armë të tilla.

Më këtë, Geci akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, në kundërshtim me nenin 374 (1) të KPK-së, vepër kjo e dënueshme me gjobë deri në shtatë mijë e pesëqind (7.500) euro, ose me burgim deri në pesë vite.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 22 gusht 2014, i pandehuri Gani Geci kishte përdorur armën – revolen e kalibrit 7.62 mm, M-57- gjysmë – automatike të prodhimit jugosllav, në kundërshtim më ligjin e aplikueshëm më armë të tilla.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të “përdorimit të armës”, në kundërshtim më nenin 375 (1) të KPK-së, vepër kjo e dënueshme më një (1) vit deri në (8) vite.