Nuk ndalen zjarret as në Greqi, evakuohen banorët

Për të dytën herë brenda tre ditësh një zjarr masiv ka shpërthyer prej mesditës të së shtunës në Egjalia, në veriperëndim të gadishullit të Peloponezit dhe për disa orë ka dalë jashtë kontrollit.

Mbi 100 zjarrfikës me 33 mjete, katër avionë dhe katër helikopterë po luftojnë me flakët, ndërkohë që në zonë mbizotërojnë temperaturat e larta.

Për shkak të erës, zjarri është përhapur shumë shpejt në një front të gjerë duke djegur dhjetëra shtëpi dhe depo bujqësore.

Të paktën katër fshatra janë evakuuar pasi banorët kanë marrë mesazhin nga numri Europian i emergjencave 112, ndërsa gjithashtu janë larguar të sigurtë edhe 110 femijë nga kampet e pushimit në zonën e Panagopoulas si dhe turistët në hotelet pranë.

Bashkë me zjarrfikësit edhe forcat e policisë janë përpjekur të ndihmojnë banorët që nuk donin të largoheshin nga shtypitë e tyre dhe në këtë operacion kanë marrë pjesë edhe nga deti disa motoskafë të Rojës Detare .

Në përpjekje për shuarjen e zjarrit njoftohet se ka pasur të paktën 5 të lënduar. Për këtë arsye me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë, janë vënë në gatishmëri të lartë spitalet në qytetet e Patras, Egios dhe Rios.

Gjithashtu për shumë orë është mbyllur rruga nacionale Athine -Patra si dhe ura e famshme e Rio-Antirrios, ndërsa panik ka mbizotëruar në rrugën e vjetër Patra -Korinth nga qindra pushues që përpiqeshin të largoheshin nga bregdeti me makinat e tyre, raporton TCH.

Ndërkohë kanë filluar hetimet mbi shkaqet e shpërthimit të këtij zjarri, ndërsa në kujtesën e banorëve , ende nuk janë larguar makthet e zjarreve vrastare në këtë gadishull në vitin 2007, ku humbën jetën 63 persona, midis tyre disa shtetas shqiptarë.