Ndodh në Arabi

Nuk mjaftuan goditjet me kamxhik, lojtari tani do të ndëshkohet edhe nga Federata

 Pamjet bënë xhiron e botës dhe me siguri do të shfaqen përgjithmonë në përmbledhjet e momenteve më të çuditshme në historinë e futbollit.

Abderrazak Hamdallah, një nga lojtarët e Al Ittihad, u godit me kamxhik pas humbjes së ekipit në finalen e Superkupës së Arabisë Saudite, 4-1, kundër Al Hilal të Jorge Jesus.

Në pamje shihet sulmuesi ndërkombëtar maroken, i cili shënoi golin e vetëm të skuadrës, duke ecur drejt një tifozi, duke i hedhur ujë. Reagimi nuk ishte më i miri, me njeriun që e goditi lojtarin shumë herë me… kamxhik.

Pas poshtërimit publik, Hamdallah tani përballet me dënimin nga Federata Saudite. Sipas informacioneve të publikuara në Arabinë Saudite, lojtari rrezikon të pezullohet me dy ndeshje dhe të gjobitet me 55 mijë euro, për provokim të tifozit.

“Hamdallah do të dënohet për këtë incident, në përputhje me rregulloret aktuale. Do të konsiderohet sjellje e turpshme dhe do të ndëshkohet”,- thekson gazeta ‘Asharq Al-Awsat’.