Malishevë
Nuk mbahet gjykimi ndaj drejtorit të Malishevës, të akuzuar për ryshfet me mbrëmjen e maturës
Ka dështuar të mbahet gjykimi për marrje të ryshfetit ndaj drejtorit të shkollës së mesme të Malishevës, Izet Hoti.
Arsyeja e dështimit të seancës fillestare ishte mungesa e të akuzuarit Izet Hoti.
Hoti po akuzohet se në maj të këtij viti si drejtor në shkollën e mesme të lartë “Hamdi Berisha” në Malishevë, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke kryer veprën e marrjes së ryshfetit.
Paraprakisht gjyqtari i rastit Shaqir Zika, kishte pranuar një parashtresë edhe nga Emrush Kastrati, avokat i të akuzuarit, për shtyrjen e seancës së sotme, me arsyetimin se ishte i zënë me një seancë tjetër.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës thuhet se Hoti kishte kërkuar ryshfet në shumë prej 1.500 euro nga Gëzim Kastrati, menaxher i restaurantit “Bimi-2”, për organizimin e mbrëmjes së maturës në këtë restoran.
Sipas urdhëresës së lëshuar nga gjykata, aktakuza thotë se manipulimet e drejtorit Izet Hoti rreth organizimit të mbrëmjes së maturës, janë bërë përmes përgjimeve telefonike nga ana e policisë.