Nuk kanë të ndalur punësimet e familjarëve, LVV-ja “rehaton” edhe vajzën e Shpejtim Bulliqit në AKP

Nga gjashtë konkurset e hapura për vetëm një ditë për ‘ofrues të shërbimeve’ me kontratë mbi vepër nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, u punësua edhe vajza e Shpejtim Bulliqit, kryetarit të komunës së Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Partia në pushtet jo vetëm që nuk po ndalë punësimet familjare siç kishte premtuar gjatë fushatës e për të cilat ishte kritikuesja më e madhe por edhe po i vazhdon ato në mënyrë masive.

Kësaj radhe, është Egzonë Bulliqi, vajza e kryetarit të Podujevës që u punësua në AKP duke u renditur e dyta në konkursin e shpallur me gjithsej 87 pikë.

Gazeta Infokus kishte raportuar se për një periudhë të shkurtër kohore ky institucion kishte shpallur 9 konkurse për 33 ofrues të shërbimeve me kontratë mbi vepër. E 6 prej këtyre konkurseve pjesë të cilit është edhe vajza e Shpejtim Bulliqit, janë shpallur të gjitha për një ditë me 16.06.2022.

Egzonë Bulliqi, është punësuar në Agjencinë Kosovarë të Privatizimit me kontratë mbi vepër për 6 muaj, në pozitën “Ofrues i Shërbimeve – Ekipi mbështetës për shërbime në protokoll, pranim/përcjellje të palëve dhe çështje administrative që ndërlidhen me likuidimin”, sipas shpalljes së konkursit.

Kandidatët e tjerë të suksesshëm sipas njoftimit nga AKP-ja janë edhe: Prin Gentiana Krasniqi-Ajvazi me 90 pikë e pasuar nga Egzonë Bulliqi me vetëm tre pikë më pak, dhe vazhdon me Laura Haxhiu me 85 pikë.

E kur jemi te Agjencia Kosovare e Privatizimit në kohë fushate tash kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkonte me ngulm zhbërjen e saj duke arsyetuar se kjo agjenci është kryesorja që ka bërë degradimin e pronës publike në dobi të personave të politikës dhe oligarkëve të biznesit.

E mbi të gjitha Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, para se të vinin në pushtet ishin më të zëshmit sa u përket punësimeve me kontratë për shërbime të veçanta madje këtë formë punësimi e quanin si formën ligjore të rehatimit të militantëve të partive që aso kohe mbanin pushtetin.

Në gusht të vitit 2021, Kurti edhe në cilësinë e kryeministrit paralajmëroi sërish se do ta shuaj AKP-në, pasi që sipas tij aty është vjedhur e privatizuar gabimisht.

“Me AKP dhe ARKEP ne u dalim zot premtimeve tona për qytetarët. 50.28 për qind kanë votuar për fitoren tone, një fitore e paparë për Kosovën e pasluftës dhe kemi thënë që AKP do të shuhet dhe AKP do të shuhet, por që të shuhet AKP është e rëndësishme që njëherë të shkarkohet Bordi se ka vjedhur shumë, e ne nuk do t’i lejojmë”, pati thënë Kurti asokohe në Kuvend.

Edhe pse pati thënë se do ta shuaj bordin fillimisht e pastaj edhe AKP-në, në vitin e kaluar Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bordin e ri të kësaj agjencie dhe kryesuesin e saj.

Me 60 vota për dhe një abstenim, legjislativi zgjodhi Bordin e ri të AKP-së.

Nazmi Mikullovci është votuar si kryesues i AKP-së, ndërsa anëtarë të bordit janë emëruar Suzana Dautaj-Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi-Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muçolli dhe Avni Ajdini.

E me këtë bord të ri u bënë edhe shpalljet e 9 konkurseve për 33 të punësuar me kontratë mbi vepër pjesë e së cilës është edhe vajza e Shpejtim Bulliqit.

Kujtojmë se për punësime të tilla Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë edhe ka nisur hetimet, për 100 të punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës e që dyshohet se u bënë mbi baza familjare./Gazeta Infokus