Nuk ka më orë policore, nesër hapen kafenetë në Maqedoninë e Veriut

Brenda dy ditëve Maqedonia e Veriut kalon nga një masë rigoroze në një lehtësim të madh.

Që nga dita e sotme nuk do të ketë më orë policore në këtë vend, ndërkaq gjatë ditës së nesërme pritet të happen kafenetë.

Ky është vendimi i Qeverisë me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, që gjithashtu u vendos që objektet hotelierike dhe gastronomike të hapen që nga dita e enjte, respektivisht që nga nesër.

Por, sot pritet të hartohet protokolli i posaçëm i masave mbrojtëse kundër përhapjes së virusit korona. Gastronomët kërkojnë që përveç në tarraca dhe në kopshtet verore, mysafirë të mund të pranojnë edhe brenda lokaleve.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dje në emisionin 200 në Alsat tha se pas lirimit të masave do të duhet kujdes i shtuar i qytetarëve për të mos rikthyer një valë të re të epidemisë.

“Këto janë një pako e lirimeve të masave shtrënguese, ku qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se patjetër t’i respektojnë rekomandimet sidomos mbajtja e maskave dhe distanca. Nuk duam të lejojmë që shkaku i mosrespektimit të masave të kemi sërish një pik që do të na kthejë pas në masa shtrënguese. Unë besoj se qytetarët janë shumë të vetëdijshëm, kemi situatë që mirë menaxhohet  nga sistemi shëndetësor dhe mund të nisim me lirimin e masave shtrënguese” deklaroi, Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.