Nuk është Tirana, PD propozon dy qarqet për votimin elektronik

Partia Demokratike i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një shkresë me dy sugjerimet e saj për qarqet ku kërkon të aplikohet projekti pilot për numërimin elektronik. Sipas ABC se qarqet e propozuara nga PD janë Fieri dhe Korça.

“Në përgjigje të shkresës tuaj nr.2646 Prot., datë 28.12.2020, mbi zbatimin e teknologjisë në zgjedhjet e datës 25 prill 2021 për Kuvendin e Shqipërisë, ju bëjmë me dije se opinion i Partisë Demokratike është që projekti pilot për votimin dhe numurimin elektronik të realizohet në qarqet Fier dhe Korçë,” shkruan PD në kërkesën e saj.

Ndërkohë burimet thonë se PS nuk ka dërguar asnjë propozim pas kërkesës së kryetarit të KQZ, Ilirjan Celibashi, por paraprakisht thonë janë të hapur për të pranuar propozimet e dërguara nga Partia Demokratike.

Celibashi në kërkesën e tij, theksoi se projekti pilot për teknologjinë në zgjedhje do zbatohet në 20% të zonave. Për të vendosur se në cilat zona zgjedhore do zbatohet projekti pilot për të mundësuar numërimin dhe votimin elektronik, do duhet konsensusi i palëve politike.