“Nuk është me rëndësi vetura Audi A8, por gomari që e nget atë”, Organizata QIKA iu bën thirrje mediave mos ta ftojnë më si analist Xhevdet Pozharin

Organizata QIKA u bën thirrje mediave që mos ta ftojnë më në debate televizive, në rolin e analistit Xhevdet Pozharin, për shkak të gjuhës së përdorur pas vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj. Sipas kësaj organizate, gjuha e Pozharit normalizon dhunën dhe arsyeton vrasjen e grave.

Në një shkrim në profilin e tij në Facebook, Pozhari shkruan ndër të tjera se “vajzave duhet rikujtuar sa më shpesh se nuk është me rëndësi vetura Audi A8, por gomari që e nget atë”.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar organizata QIKA, duke kërkuar nga mediat që mos të ofrojnë hapësirë për individë me qëndrime të tilla mizogjene.

“Gjuha e përdorur nga analisti Xhevdet Pozhari normalizon dhunën dhe arsyeton vrasjen e grave. Dënojmë ashpër këtë gjuhë dhe kërkojmë nga mediat që të mos të ofrojnë hapësirë për individë me qëndrime të tilla mizogjene”, thuhet në reagimin e tyre.