Përfaqësuesi i Partisë së Demokratëve të Lirë të Gjermanisë, që përbën koalicionin qeverisës, Thomas Hacker, tha se zgjedhjet në Serbi morën një vlerësim shqetësues dhe se nuk është çudi që vetëm Viktor Orban, Vladimir Putin dhe diplomatë kinezë, përfaqësues të vendeve ku ose nuk ka opozitë ose liria e medias është aq e kontrolluar sa partitë opozitare vështirë se kanë mundësi të shohin njëra-tjetrën, ta urojnë Aleksandar Vuçiqin.

Lidhur me zgjedhjet në Serbi, Hacker, i cili përndryshe është zëdhënës për politikën evropiane dhe raportues për Ballkanin Perëndimor i grupit parlamentar FDP, tha se raporti i OSBE-së jep një vlerësim jashtëzakonisht shqetësues për ditën e zgjedhjeve në Serbi, transmeton Ballkani.info.

“Rastet e blerjes së votave dhe keqpërdorimit të burimeve publike janë të padenjë për një vend që po negocion për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nuk është çudi që deri tani vetëm Viktor Orban, Vladimir Putin dhe diplomatë kinezë e kanë uruar fituesin e zgjedhjeve. Tre vende ku ose nuk ka më opozitë ose liria e medias është aq e kontrolluar sa partitë opozitare vështirë se kanë mundësi të shohin njëra-tjetrën. Nëse pretendimet vazhdojnë të jenë të vërtetuara, BE-ja do të ishte mirë që të shqyrtojë përfundimisht marrëdhëniet e saj me Serbinë dhe të marrë parasysh pasojat e rënda në aspektin e negociatave të anëtarësimit”, theksoi ai në një deklaratë.

Zgjedhjet në Serbi, përveç përfaqësuesve të FDP-së, të kontestuara i kanë cilësuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

“Serbia votoi, por OSBE dhe ODIHR raportojnë keqpërdorim të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave. Kjo është e papranueshme për një vend me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE”, tha Ministria gjermane në rrjetin social X.

Janë shprehur edhe socialdemokratët, të cilët përbëjnë grupin e dytë më të madh të PE-së, ku përfaqësuesit kryesorë janë deputetët nga Gjermania. Në deklaratën e tyre ata theksuan domosdoshmërinë e hetimit të të gjitha parregullsive të raportuara.

“Lajmet për autobusët me jorezidentë që vijnë në Beograd për të votuar janë tronditëse. Vjedhja e votave, ryshfeti dhe korrupsioni nuk duhet të lejohen në një botë demokratike. Serbët meritojnë drejtësi dhe demokraci, jo procese të rreme zgjedhore me dhunë dhe polarizim. Të gjitha parregullsitë e raportuara duhet të hetohen. Ne jemi shumë të shqetësuar për pretendimet për presion mbi votuesit, gjuhën e urrejtjes në fushatë, ngacmimin e gazetarëve dhe shoqërisë civile në Serbi, keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe ndërhyrjet e mundshme ruse”, tha Abdreas Schneider nga ky grup.

Krahas ministrisë që drejtohet nga të Gjelbërit e Gjermanisë, reagim ka ardhur edhe përfaqësuesja e tyre në PE, Viola von Kramon, e cila është anëtare e Delegacionit për vëzhgimin e zgjedhjeve në Serbi.

Ajo theksoi se është dakord me kolegët se zgjedhjet janë mbajtur në kushte të pabarabarta dhe janë zhvilluar me parregullsi të shpeshta ditën dhe para zgjedhjeve, si shpërdorim i burimeve administrative, blerje votash dhe shkelje e fshehtësisë së votimit. Ajo argumenton se nevojitet një mbikëqyrje ndërkombëtare dhe një hetim i plotë.

“Jemi dëshmitarë të rasteve të sjelljes së organizuar të votuesve nga Republika Srpska dhe frikësimit të votuesve”, ka shkruar Von Kramon në platformën X. /Ballkani.info/

BONUS VIDEO: Pas fitores së Vuçiqit platforma ‘bota serbe’ kërcënon seriozisht Ballkanin

​