Shaban Murati

Nuk ekziston “çështja e minoritetit grek”

Në të ashtuquajturën paketë të bisedimeve diplomatike, që po zhvillohen prej afro një viti midis Shqipërisë dhe Greqisë, ku me miratimin e të dy palëve është përjashtuar çështja çame, figuron edhe një temë e quajtur “çështja e minoritetit grek ne Shqipëri”. Përfshirjen e saj ne agjendën e bisedimeve diplomatike dypalëshe e konfirmoi personalisht kryeministri grek, Aleksis Cipras, në 9 shtator. Madje ai specifikoi se kjo çështje është një nga kushtet, që Greqia i vendos Shqipërisë për t’i dhënë votën për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE.

Pyetni kë të doni nga kryeministrat dhe ministrat e jashtëm shqiptarë të periudhës së tranzicionit: Çfarë është kjo “çështje e minoritetit grek” në Shqipëri, që figuron si çështje e pazgjidhur në marrëdhëniet e tanishme midis dy vendeve tona? Asnjeri nuk do të dijë të përgjigjet, por kanë pranuar verbërisht ekzistencën e një “çështje të minoritetit grek” në marrëdhëniet dypalëshe. Nuk do të dinë të përgjigjen, ndonëse kjo çështje ka 30 vjet, që shërben si litari grek rreth qafës së diplomacisë shqiptare për ta sjellë vërdallë si ariu në cirk dhe për të plotësuar kërkesat dhe hapat e një strategjie të rafinuar të Athinës për vendosjen e kontrollit në Shqipëri.