“Nuk e kemi ditur se ka lidhje familjare”, MSH me arsyetime banale pas punësimit të dhëndrit të Kusari-Lilës

Shkumbin Spahiu, dhëndri i shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lilës, është emëruar në Bordin e Ankesave në AKPM nga ud. ministrja Dafina Gexha – Bunjaku. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se nuk e kanë ditur për lidhjen familjare të Shkumbin Spahiut me deputeten Mimoza Kusari – Lila.

Ministria e Shëndetësisë i është përgjigjur sot Gazetës Shneta lidhur me raportimin e djeshëm për emërimin e Shkumbin Spahiut në Bordin e Ankesave në AKPM, i cili është dhëndër i deputetes së LVV-së, Mimoza Kusari-Lilës.

Sipas MSH-së, ud. ministrja Dafina Gexha-Bunjaku, e cila e ka emëruar Spahiun në këtë bord nuk e paska ditur se ai ka lidhje familjare me Kusari-Lilën.

“Mund të ju informojmë që për lidhjen familjare të z. Shkumbin Spahiu me deputeten Kusari Lila kemi kuptuar vetëm pas raportimit të mediumit tuaj, dhe ju sigurojmë që emërimi i tij në bordin për ankesa në AKPPM ka qenë vetëm si rezultat i profilit të tij profesional, mbështetur në UA 05/2015 Bordi i ankesave dhe se nuk bëhet fjalë për kurrfarë ndikimi politik”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ushtruesja e detyrës së Ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, më 31 tetor ka emëruar përbërjen e re të Bordit të Ankesave në Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

Në këtë bord janë tre anëtarë me mandat trevjeçar, të cilët emërohen nga Ministri i Shëndetësisë bazuar në Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Gexha-Bunjaku ka emëruar Meliza Qorraj, Shkumbin Spahiun dhe Gëzim Berishën.

Shkumbin Spahiu është bashkëshorti i motrës së deputetes dhe shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Spahiu, po ashtu, është drejtor ekzekutiv në një organizatë joqeveritare, e cila bashkëpunon edhe me bashkëshortin e Kusari-Lilës, Arben Lilën.

Gazeta ka kërkuar sqarime nga Gexha-Bunjaku për këtë emërim, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

Përgjigje nuk kanë kthyer as Spahiu dhe as Kusari-Lila, nëse emërimi është bërë me ndikim politik.