Daut Haradinaj ka reaguar me një mesazh të fortë për pajtim dhe unitet kombëtar, duke vlerësuar veprimin e Albert Muçajt gjatë festës së Kurban Bajramit, ku ai shtriu dorën e pajtimit ndaj familjeve Verbovci dhe Tigani pas një plagosjeje të rëndë.
Haradinaj tha se ky akt duhet të shërbejë si shembull për gjithë kombin shqiptar, duke bërë thirrje për bashkim dhe mirëkuptim mes njerëzve.
“Sot e nisa ditën me mikun tim Albert Muçaj, i cili në festën e Kurban Bajramit shtriu dorën e pajtimit ndaj familjes Verbovci dhe familjes Tigani, pas një plagosjeje të rëndë.
Kjo ditë dhe ky veprim i madh që e bëri Alberti le të shërbejë si shembull për gjithë kombin tonë, t’ia shtrijmë dorën njëri tjetrit, të bashkohemi si popull, sepse vetëm të bashkuar mund të ecim përpara.
Nuk duhet të ketë plumba mes vëllezërve shqiptarë. Falja nuk është ligësi e as dobësi, falja është forcë, burrëri dhe virtyt i shqiptarit të mirë.
Respekt për Albertin dhe Jonin për këtë nder të madh.
I nderuar qofsh”, ka shkruar Haradinaj.
Mesazhi i tij është pritur si një thirrje për paqe, pajtim dhe unitet në shoqërinë kosovare, veçanërisht në ditët e festave, ku vlerat e faljes dhe mirëkuptimit marrin domethënie të veçantë.







