Kur Jose Mourinho mori drejtimin e Manchester United, firmosi për një kontratë spektakolare prej 15 milionë sterlinash në vit, ndërkohë që iu premtua skuadër e aftë të rivalizojë për trofe në Angli e jashtë saj.
Epoka Mourinho përfundoi shumë keq, me pushim nga puna dhe debate të mëdha, duke nisur nga ai me zëvendëspresidentin Ed Woodward e deri te Paul Pogba.
Koha po tregon se Mourinho nuk ishte fajtori real i krizës së United, sepse qartësisht problemet nisin nga krerët e klubit. Menaxhimi i Man Utd në aspektin sportiv ecën në drejtim të kundërt me menaxhimin financiar, sepse një ndër klubet më të pasur në botë nuk ka asnjë projekt dhe është totalisht i paaftë të bëjë goditje të rëndësishme në merkato.
Simboli i paaftësisë së drejtuesve të United është Ole Gunnar Solskjaer: trajneri norvegjez e mori përkohësisht drejtimin kur iku Mourinho, fitoi 14 nga 19 ndeshjet e para në drejtim dhe drejtuesit u mahnitën, duke firmosur me të kontratë 3-vjeçare në fund të marsit.
Konfirmimi në drejtim ishte i merituar për Solskjaer, por shifrat ishin absurde: 7.5 milionë sterlina në vit! Më shumë se Jurgen Klopp, Maurizio Sarri e Unai Emery, vetëm një milionë sterlina më pak se Mauricio Pochettino.
TRAJNERËT MË TË PAGUAR NË PREMIER LEAGUE
1. Pep Guardiola (Manchester City) – 15 milionë sterlina në vit
2. Mauricio Pochettino (Tottenham) – 8.5 milionë sterlina në vit
3. Ole Gunnar Solskjaer (Manchester United) – 7.5 milionë sterlina në vit
4. Jurgen Klopp (Liverpool) – 7 milionë sterlina në vit
5. Unai Emery (Arsenal) – 6 milionë sterlina në vit
6. Maurizio Sarri (Chelsea) – 5.15 milionë sterlina në vit







