Novosti: Përplasen Vjosa Osmani e Aleksandar Vuçiq, tensionohet takimi i “Brdo-Brijunit”

Siç pritej, fillimi i takimit të nivelit të lartë të procesit të njohur si “Brdo-Brijuni” u zhvillua në një atmosferë të elektrizuar dhe sipas gazetës serbe “Vecernje Novosti“, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnje e Hercegovinë Shefik Gjaferoviq e ‘sulmuan’ presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas pohimeve të burimeve të “Novostit”, diskutimi filloi pasi pjesëmarrësit në samit morën iniciativë në fillim për të miratuar disa konkluzione sipas të cilave kufijtë në rajon janë të pandryshueshëm, të cilat Vuçiq i kundërshtoi paraprakisht.

Osmani dhe Gjaveroviq thuhet se i reaguan ashpër Vuçiqit, duke thënë se Beogradi po i risjellë platformat e vjetra për ndryshimin e kufijve. Atyre, sipas “Novostit” u reagoi kreu i shtetit serb.

Në takim, i cili po zhvillohet me dyer të mbyllura, pra pa media, po marrin pjesë edhe presidenti kroat, Zoran Milanoviqç, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik, Zheljko Komshiq, Shefik Gjaferoviq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.