Noteria e PDK-së, kalojnë provimin me gojë gratë e Lladrovcit, Kuçit, Ramës dhe kushëriri i Veselit

175 kandidatë e kanë kaluar me sukses provimin me gojë të noterisë, nga rezultatet e publikuara nga Ministria e Drejtësisë gjatë pasdites së të premtes.

Ashtu siç edhe kishte raportuar KTV-ja dhe gazeta Koha Ditore, provimin e noterisë e kanë kaluar shumë anëtarë të partive politike, familjarë të tyre dhe njerëz të lidhur me sistemin e drejtësisë

Anëtarë të PDK-së dhe familjarë e të afërm të tyre, pritet që së shpejti të jenë noterë në shumë institucione dhe komuna.

Me 86 pikë, provimin e noterisë e ka kaluar avokati shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë, Sami Istrefi.

Provimin e noterisë, me sukses e kanë kaluar edhe tri gratë e zyrtarëve të PDK-së.

Është bashkëshortja e ish-ministrit të PDK-së Hajredin Kuçi, Fatmire Jerliu, që ka arritur gati pikët maksimale në këtë provim.

Derisa bashkëshortja e kryetarit të Drenasit, Shemsije Istogu-Lladrovci , këtë provim ka arritur ta kalojë me 78 pikë, ndërsa bashkëshortja e deputetit të PDK-së, Rafet Rama, Xhyljeta Izmaku-Rama, me 74 sosh.

Pjesë e noterisë do të jetë edhe djali i axhës së kreut të PDK-së, Kadri Veseli, Hysni Veseli, dhe dhëndri i ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, Ekrem Dreshaj.

Florent Maliqi nga PDK dhe Feim Maliqi nga PDK, e njëherësh zyrtar i Ministrisë së Kulturës, gjithashtu do të jenë noterët e ardhshëm në institucionet e vendit.

Provimin e noterisë e kanë kaluar edhe zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë dhe këshilltarë të ministrit Abelard Tahiri.

Zyrtarja e kësaj ministrie, Floriana Rugova, e cila është edhe pjesë e Këshillit Drejtues të PDK-së, e ka dhënë këtë provim me 86 pikë. E, provimin me sukses e ka kaluar edhe zyrtari tjetër i kësaj ministrie, Isuf Jahmurataj.

Ardone Bahtiri, bashkëshortja e Bedri Bahtirit, zyrtar i lartë në Ministrinë e Drejtësisë, gjithashtu e ka kaluar me sukses provimin e noterisë.

Me 70 pikë, këtë provim e ka kaluar edhe Tea Blakaj, këshilltare e jashtme e Abelard Tahirit.

E ndonëse KTV kishte raportuar për konfliktin e interesit që kishin disa prej anëtarëve të Komisionit të Provimit të Noterisë me disa prej kandidatëve, provimin e kanë kaluar edhe këta kandidatë.

Fillimisht është e reja e kryetarit të Komisionit për Provimin e Noterisë, Nehat Idrizi, Gentiana Bajraktari, e cila e ka dhënë këtë provim me 92 pikë.

Në listën e pranimit nuk kanë munguar edhe familjarët dhe të afërmit e dy anëtarëve të tjerë të këtij komisionit.

Florida Kostanica, familjare e anëtares së komisionit Merita Kostanicës, e ka kaluar këtë provim, me dy miket e saj gjithashtu, Zana Bejta dhe Xhylizare Selimi-Dushi.

Kaltrina Hysenaj, motra e gruas së anëtarit tjetër të këtij komisioni Elbasan Dervishaj, gjithashtu mund të jetë pjesë e noterisë në institucionet shtetërore.

Në mesin e 175 kandidatëve që kanë kaluar me sukses provimin e noterisë është edhe djali i ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Shqipo Sejdiu dhe vajza e ish-ministrit Haki Demolli, Ariana Demolli.

Në fund të muajit qershor, gazeta Koha Ditore publikoi emrat e 60 kandidatëve që kishin kaluar provimin me shkrim për noterë e të cilët ishin anëtarë të partive politike, familjarë të tyre apo persona njerëz të lidhur me sistemin e drejtësisë.