Noka: Demokratët janë pas hekurave me 6 akuza në kurriz, Rama tregoi sot se është kryetar i opozitës

Deputeti Flamur Noka së bashku me deputetët Albana Vokshi dhe Belind Këllici ishin në Komisariatin nr 1 në Tiranë ku ndodhen edhe të ndaluarit nga protesta e sotme.

Në një deklaratë për mediat Noka u shpreh se sot janë ndaluar rreth 20 protestues mbi të cilët rëndojnë 6 akuza. Ai tha se asgjë nuk do ndalë kthimin e PD0-së në shtëpinë  e lirisë.

“Edi Rama sot tregoi se është kryetar i opozitës. Janë rreth 20 të ndaluar nga dita e sotme sepse hapën dyert e selisë. Dyer dhe dritaret që i kishin mbyllur dhe  i hapën. I bëj thirrje të ndalojmë këto lojëra. Në Shqipëri nuk mund të ketë opozitë të emëruar. Do të ketë një opozitë që duhet të përfaqësojë demokratët. Pengun Rama ta marrë në Surrel. Sot ata demokratë që janë të mbyllur atje brenda kanë 6 akuza mbi kurriz. Pse? Se i prishën terezinë pengut të Ramës. Kemi parë gjyqe e arrestime të vrasësve por kurrsesi 6 akuza. Ku e katandisi PD-në pengu i Ramës. Regjimi sot tregoi fytyrën e tij. Banditë brenda selisë duke mbrojtur pengun dhe gardistët. Pse shteti arreston dhe burgos demokratët e lirë dhe nuk arreston bandat brenda selisë? Nuk do t’ia dalin. Të jenë të sigurtë që asgjë nuk do ta ndalë për të kthyer nga bunker në shtëpi lirie”- u shpreh ai.