Nobelisti Handke ende e vajton Miloseviqin: Për mua Jugosllavia ka domethënie

Shkrimtari austriak, Peter Handke, fitues i çmimit Nobel për letërsi nga Akademia Suedeze për vitin  2019’të, e mbrojti angazhimin e tij në mbrojtje të Serbisë gjatë luftës në ish-Jugosllavi e shtoi se asnjëherë nuk është përkulur para Milosevic. Ndoshta nuk ishte përkulur por ende vazhdon ta mbështesë.

“Në asnjë moment nuk jam përkulur para Milosevic, as në vetvete as para publikut” tha austriaku në intervistën e tij për gazetën Die Zeit, e para pasi ju dhurua çmimi prestigjioz Nobel në tetor të këtij viti e ku flet për angazhimin e tij kontrovers.

“E kam parë një herë, ishte i burgosur në Hagë” tha Handke në këtë intervistë të gjatë të bërë në Paris, ku jeton tani me vite.

“Desha ta dëgjoj. Avokati i ish presidentit më pyeti se nëse kisha dëshirë të bisedoja me të. E dëgjova se çfarë ka për të thënë” thotë Handke.

I pyetur për pjesëmarrjen e tij në varrimin e Milosevic në vitin 2006, që shkaktoi skandal, Handke tha “normalisht që isha atje”.

Handke pa problem e shfaq simpatinë për të ende, e arsyetimi i tij është, më së paku mund të thuhet i habitshëm. Handke tërësisht harron fashizmin serb të pushtetit të Milosevic dhe e lidhë atë me Jugosllavinë e jo Serbinë.

“ Në një prej daljeve të tij të fundit ai kishte deklaruar se nuk donte që Jugosllavia të shpërbëhej. Varri i tij është edhe varri i Jugosllavisë. A ndoshta kemi harruar se ai shtet ishte formuar për të kundërshtuar Rajhun e Hitlerit?”.

Handke më 1996 kishte botuar pamfletin “Drejtësi për Serbinë” pas luftës në Bosnje e Kroaci që kishte shkaktuar polemikë të madhe. Ai më 1999 kishte dënuar edhe bombardimin e Serbisë nga NATO.

Ai ende këmbëngul se shkrimet e tij nuk janë për të u dënuar.

“Asnjë fjalë që kam shkruar për Jugosllavinë nuk është për t’u dënuar. Kjo është letërsi” tha ai.

Handke, e ëma e të cilit është sllovene nga krahina Korushka në Austri, shpjegoi edhe këtë këmbëngulje të tij të çuditshme, duke thënë se është  ‘jugosllav’ nga e ëma, jo slloven.

“Gjithsesi isha i vetmi. Unë jam jugosllav nga e ëma dhe nga daja im që ka studiuar në Maribor…Për mua Jugosllavia ka domethënie”, tha Handke.

Derisa fliste për luftërat në ish Jugosllavi tha se ishte “luftë vëllavrasëse” e shtoi se “nuk ka asgjë më të keqe se lufta vëlla vrasëse”. Por është e qartë se cilin ‘vëlla’ e konsideron ‘vrasës’.

“Sa serbë jetonin në Kroaci, në Krajinë. E përnjëherë ju duhej të jenë populli inferior në vendin e tyre.”

Ceremonia e dhënies së çmimit Nobel do të mbahet me 10 dhjetor, në ditën e vdekjes së Alfred Nobel.

Akademia Suedeze i ishte përgjigjur Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Krajës, duke e arsyetuar vendimin e tyre dhe duke i qëndruar prapa atij vendimi.